Flash News

KRYESORE

Vrasja e Martin Canit: Nga TikTok-u te algoritmi, si ndryshoi narrativa e Ramës për ‘fajtorin’

Screenshot_1.png

Kryeministri Edi Rama e riktheu këtë të enjte në vëmendje vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, teksa prezantoi Qendrën Kombëtare të Monitorimit në kuadër të projektit “Smart City”, duke e cilësuar këtë investim si përgjigjen institucionale ndaj ngjarjes që tronditi opinionin publik në fund të vitit 2024.

Gjatë inaugurimit, Rama deklaroi se sistemi i ri, i mbështetur në inteligjencën artificiale dhe monitorimin në kohë reale, synon të parandalojë ngjarje të rënda dhe të ndihmojë institucionet në garantimin e sigurisë publike.

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën ‘Fan Noli’, që krijoi një situatë konvulsive me politizimin ekstrem të ngjarjes dhe me gazetarinë e gjakut. Unë nuk e kam harruar, sepse e kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt. Kjo është përgjigjja ime ndaj asaj tragjedie”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se kërcënimi kryesor për fëmijët nuk është më “rrugaçi i lagjes”, por algoritmet e platformave dixhitale.

“Sot jemi në kohën e armikut të fëmijëve, rrezikut të rrugaçit të lagjes që është algoritmi. Ky sistem do të na japë krah dhe do të fokusohet edhe te bashkëpunimi me prindërit”, deklaroi ai.

Megjithatë, deklarata e sotme vjen në një kontekst të ndryshëm nga qëndrimi që kreu i qeverisë mbajti menjëherë pas vrasjes së Martin Canit.

Nga TikTok-u te algoritmi

Pas ngjarjes së nëntorit 2024, Rama e përdori vrasjen e 14-vjeçarit si argumentin kryesor për të nisur debatin mbi kufizimin e TikTok-ut në Shqipëri. Në atë kohë, ai deklaronte se rrjeti social po ushqente gjuhën e urrejtjes, konfliktet dhe modelet e dhunshme mes të rinjve, duke e cilësuar platformën si një rrezik për fëmijët.

Në fund të dhjetorit 2024, qeveria vendosi pezullimin e TikTok-ut për një periudhë njëvjeçare.

“TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës”, deklaronte asokohe Rama.

Vendimi u justifikua nga qeveria si një masë për mbrojtjen e fëmijëve dhe uljen e dhunës mes adoleshentëve, ndërsa opozita dhe ekspertë të teknologjisë e konsideruan atë një masë disproporcionale dhe me prapavijë politike.

Reagimi i familjes së Martin Canit

Pak muaj më vonë, në mars 2025, familja e Martin Canit reagoi publikisht ndaj mënyrës se si po përdorej emri i djalit të tyre në debatin politik.

Familjarët deklaruan se Martini nuk kishte pasur llogari në TikTok dhe se “Martini nuk u vra nga TikTok”, por nga një bashkëmoshatar që e goditi me thikë. Ata akuzuan qeverinë se po e përdorte tragjedinë për të justifikuar mbylljen e platformës.

Nga mbyllja te rihapja

Vendimi për bllokimin e TikTok-ut u zbatua pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 dhe u shoqërua me debate të forta politike. Opozita e cilësoi atë si një akt censure dhe një përpjekje për të kufizuar komunikimin në rrjetet sociale gjatë fushatës elektorale.

Megjithatë, ndalimi nuk rezultoi i qëndrueshëm. Pas muajsh polemikash, përdoruesit vijuan të kishin akses në platformë përmes mënyrave alternative, ndërsa më pas TikTok u rikthye sërish në funksion, duke e bërë masën e qeverisë praktikisht të paefektshme.

Në deklaratën e sotme, Rama nuk iu rikthye vendimit për mbylljen e TikTok-ut, por përdori një formulim më të gjerë, duke ia atribuar përgjegjësinë “algoritmit” dhe ndikimit që platformat dixhitale ushtrojnë mbi të rinjtë.

Ndërsa dikur identifikonte TikTok-un si “rrugaçin e lagjes”, sot kryeministri flet për algoritmin si armikun e ri të fëmijëve, duke e lidhur zgjidhjen jo më me mbylljen e një platforme të vetme, por me monitorimin inteligjent dhe përdorimin e teknologjisë për parandalimin e krimit.

Të fundit