Flash News

Ditari i Opozitës

Mesazhi i parë i Këlliçit si nënkryetar i PD: Koha për më shumë bashkim dhe vendosmëri

Mesazhi i parë i  Këlliçit si nënkryetar i PD: Koha

 

I zgjedhur si nënkryetar i Partisë Demokratike nga Këshilli Kombëtar, deputeti Belind Këlliçi ka reaguar me një mesazh falënderimi, ku e cilëson votëbesimin si një përgjegjësi të madhe.

Në një postim në Facebook, Këlliçi falënderoi anëtarët e Këshillit Kombëtar për besimin e dhënë dhe bën thirrje për bashkim të demokratëve në betejën kundër qeverisë së Edi Ramës.

Ai ndau edhe një mesazh vlerësimi për Luçiano Boçin, me të cilin tha se gara mes tyre për postin e nënkryetarit vetëm sa ka rritur respektin reciprok. 

"Dua të falënderoj nga zemra anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për besimin që më dhanë, duke më zgjedhur Nënkryetar të forcës sonë politike!
Me mikun tim Luçiano Boçi, kemi ndarë së bashku shumë sfida e momente të vështira, sidomos në 5 vitet e fundit. Një prej tyre ishte edhe beteja elektorale lokale e vitit 2023, kur sëbashku dorëzuam mandatet parlamentare, për të garuar në Tiranë dhe Elbasan, në kushte të paprecedenta, pa vulë, pa logo, pa komisionerë, pa financa, pa media, por me demokratët në krahë!
Gara që zhvilluam mes nesh nuk bën gjë tjetër veçse e shton respektin dhe vlerësimin që kam për të, si koleg, mik dhe demokrat.
Jam i bindur se, së bashku me Luçianon, me çdo demokrate e demokrat, do ta çojmë përpara betejën tonë për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës dhe për t’i sjellë Shqipërisë ndryshimin që qytetarët presin dhe meritojnë.
Faleminderit të gjithëve për besimin!
Tani është koha për më shumë punë, më shumë bashkim dhe më shumë vendosmëri!
Faleminderit", shkroi Këlliçi . 

Të fundit