Flash News

OPINEWS

Farsa e Jalës dhe sheshi i Tiranës

auto_744858260_1072983471922185_863982718235976369_n1783790985.jpg

Nga Grigels Muçollari

Kishte mbledhur Edi Rama disa nxënës në Jalë dhe po lëshonte aty propagandën pa limit, duke zgjedhur të thotë disa gjëra dhe duke lënë pa përmendur ato më thelbësoret, për të cilat njerëzit kanë mbushur sheshet në revoltë. Me mesazhin e Jalës ai nuk i dha aspak përgjigje të rinjve në Tiranë dhe askujt që, në shumicë, sot kërkon largimin e tij

Një retorikë që të sjell sekëlldi, në fakt. Tha se 90 për qind të pemëve në Tiranë i paska mbjellë ai. Pra, këtu na del mjedisor. Po për afërsisht 1 milion metra katrorë ndërtim çdo vit në kryeqytet, që prej vitit 2013, kur erdhi në pushtet, kush mban përgjegjësi? Të rinjtë duan të dinë pse nuk blejnë dot një apartament, kur ka kaq shumë pallate e kulla.

Po gratacelat që janë planifikuar në godina e troje shtetërore, kush i ka dhënë vallë?

Tirana është një ferr betoni, ku fëmijët nuk kanë një lulishte a një park për të luajtur, e ku të moshuarit nuk kanë ku të kalojnë pasditet. Dhe kjo është bërë me dorën e Edi Ramës.

Në farsën e Jalës u shpreh i habitur se ‘Albanian Files’, libri ku ai bën përshesh Shqipërinë me resorte e male betoni sipas trilleve të veta personale, paska shkuar në prokurori. Po rinia dhe sheshi kërkojnë të dinë pse askush nuk di asgjë për këto projekte dhe pse në atë libër shkruhet që Edi Rama duhet të bëhet mbret dhe zgjedhjet të zhduken. Për këto nuk flet kryeministri.

Sheshi dhe njerëzit kërkojnë të dinë pse pensionisti mesatar merr këtu 150 euro në muaj, ndërsa ai jep 4 milionë euro për një koncert që kërkon ta shndërrojë në antimiting. Asnjë fjalë për këto çështje.

Sheshi dhe njerëzit duan të dinë pse ai pengoi SPAK-un me 82 vota në Kuvend dhe mbrojti korrupsionin. Në farsën e Jalës ai flet për veten e tij dhe mburret se si paska shpëtuar zonat e mbrojtura gjithë këto kohë.

Edi Rama po shpenzon kohën televizive kot. Sa më shumë e kap mikrofonin, aq më shumë krijon konflikt dhe distancë me shoqërinë. E vetmja mënyrë që të afrohet është të dëgjojë thirrjen më popullore sot në vend për të 42-tën ditë radhazi: ‘Jep dorëheqjen!’

Të fundit