Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama mbron hetimin për review-t negative ndaj bizneseve, akuzon protestuesit për “sulm kriminal”

Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të hetimit të nisur nga Policia e Shtetit për vlerësimet negative të publikuara online ndaj bizneseve, duke e cilësuar si një përpjekje për të goditur atë që ai e quan një sulm të organizuar digjital ndaj sipërmarrjeve shqiptare.

Në reagimin e tij, Rama akuzoi protestuesit se kanë përdorur mijëra llogari online për të zhvilluar një fushatë kundër hoteleve, restoranteve dhe bizneseve turistike, duke dëmtuar reputacionin e tyre në platformat si Google.

Megjithatë, hetimi është parë si një qasje e tepruar ndaj aktivitetit online të qytetarëve dhe si një tentativë për të goditur zërat kundërshtues gjatë protestave.

Reagimi i Ramës:

Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve

Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr - tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm

Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh.

 

Të fundit