Flash News

Ditari i Opozitës

""Zarf i zi" për Dumanin", Kryemadhi: Në telefon kam komunikime me Ramën, jo për Adrian Shatkun

 Screenshot 2026-07-10 183128.png

Deputetja Monika Kryemadhi ka ashpërsuar akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe kreut të saj, Altin Dumani, pasi sipas saj hetimi ndaj saj është mbështetur në prova të marra në kundërshtim me ligjin.

Pas seancës gjyqësore, ajo deklaroi se ka kërkuar pavlefshmërinë e sekuestrimit të telefonit të saj dhe ngriti pikëpyetje për mënyrën se si, sipas saj, është administruar kjo provë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale me titullin "Zarf i Zi për SPAK-un e Altin Dumanit", Kryemadhi tha se ekzistojnë dy vendime gjyqësore të viteve 2023 dhe 2024, ku, sipas saj, vetë SPAK ka pretenduar se telefoni i sekuestruar nuk ishte në pronësi të saj.

Sipas Kryemadhit, nëse telefoni nuk konsiderohej i saj, atëherë nuk mund të mbështetet mbi të akuza, ndërsa nëse rezultonte se ishte pronë e saj, prokuroria duhej të kishte marrë autorizimin e Kuvendit, siç parashikohet nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale për rastet që lidhen me deputetët.

Ajo shkruan gjithashtu se komunikimet e administruara nga telefoni nuk përmbajnë biseda me kushëririn e saj, Adrian Shatku, por, sipas saj, përfshijnë komunikime me kryeministrin Edi Rama.

Kryemadhi deklaroi se SPAK duhet të kishte marrë në pyetje Ramën dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, lidhur me dy vendime të firmosura për Adrian Shatkun.

Reagimi i Kryemadhit: 

ZARF I ZI PËR SPAK-un e ALTIN DUMANIT

Pretendoni se keni ndërtuar një dosje prej 240 faqesh mbi bisedat e telefonit të Monika Kryemadhit.

Por lindin disa pyetje:

1. Me vendimin nr. 481, datë 17.12.2023, gjykata vendosi se telefoni nuk është i Monika Kryemadhit.

2. Atëherë, mbi çfarë provash mbështetet akuza?

3. Nëse, përkundrazi, pretendoni se telefoni është i saj, atëherë ku është autorizimi i kërkuar sipas nenit 73 të Kushtetutës dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale?

4. Me çfarë vendimi gjykate është hapur telefoni im?

Këto pyetje kërkojnë përgjigje të qarta. Shihemi ……

Mesazhi në video:

Përshëndetje, këtë video po e bëj për të gjithë dashamirësit të cilët më kanë shkruajtur që dje dhe vazhdojnë të më shkruajnë dhe të më pyesin se çfarë ka ndodhur në seancën gjyqësore.

Unë dje kam kërkuar në seancën gjyqësore pavlefshmërinë e sekuestrimit të telefonit.

Pse? Sepse ka dy vendime gjyqësore të dhjetorit dhe të janarit, të dhjetorit të 2023-shit, kur unë kam kërkuar të më kthehet mbrapsht telefoni që është sekuestruar në shtëpinë e mamasë sime.

Dhe gjykata ma ka kundërshtuar me pretendimin e SPAK-ut, pra të prokurorisë, që telefoni nuk është i imi. Ndërkohë, prokuroria në dhjetor e ka ekspertuar telefonin dhe e ka vërtetuar që telefoni është i Monika Kryemadhit. Në këtë moment, prokuroria duhet t'i drejtohej Parlamentit Shqiptar, sipas Kodit të Procedurës Penale nenit 288 dhe sipas nenit 73 të Kushtetutës, ku rastet e sendeve personale të deputetëve duhet të merret leje nga Parlamenti.

Por SPAK-u nuk e ka bërë këtë gjë, sepse afërmendsh në Shqipëri ne jemi një mbretëri e Altin Dumanit, dhe kanë vazhduar dhe kanë ngritur të gjithë akuzën kundër meje dhe ish-bashkëshortit tim në bazë të mesazheve. Dhe për kaq vite sa e kanë mbajtur telefonin, mua mesazhet m'u dhanë para dy javësh.

Përveçse telefoni është i paligjshëm i sekuestruar, por edhe në zbërthimin e tyre ka ndodhur që në mesazhet e mia me ish-bashkëshortin tim Ilir Meta kam zero komunikime për kushëririn tim Adrian Shatku dhe kam pafund komunikime me ish-kryeministrin e asaj kohe, kryeministrin e asaj kohe Edi Rama.

Ku përveç kësaj, Edi Rama ka dhe dy firma për kushëririn tim Adrian Shatku.

Një në janar të 2014-ës dhe një në maj të 2015-ës. Dhe në këtë rast prokuroria duhet të kërkojë në mos të pandehur, pra të zëvendësojë Ilir Metën me Edi Ramën, duhet të kërkojë dëshmitar ose të kishte pyetur Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin, Edi Ramën si kryeministër që ka firmosur dhe Ëngjëll Agaçin si sekretarin e përgjithshëm të qeverisë që në bazë të ligjit të funksionimit të Këshillit të Ministrave duhet, ka përgatitur rendin e ditës për të cilën kanë pajisur me një VKM të 10 janarit të 2014-ës.

Këtu prokuroria në fakt u vu në pozitë të vështirë, gjë të cilën e vunë re dhe gazetarët. Tani po presim se çfarë do të ndodhi.

Faleminderit dhe mirupafshim. Besoj se mjafton kaq.

Të fundit