Flash News

E-TJERA

Koncerti i Kanye West paralizon Tiranën, ja rrugët kryesore që bllokohen nesër

kanye.jpg

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për koncertin e Kanye West, i cili do të zhvillohet mbrëmjen e 11 korrikut në “Eagle Stadium”, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës.

Sipas policisë, nga ora 07:00 deri në 24:00 do të ndalohet qarkullimi në rrugën dytësore të autostradës Durrës–Tiranë, në segmentin nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet. Në të njëjtën fashë orare do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.

Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në mesnatë, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në aksin që përfshin rrugët “Sokrat Miho”, “Kasem Shima” dhe “7 Nëntori”, të cilat do të funksionojnë vetëm me sens daljeje.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete private në zonë, pasi nuk do të ketë hapësira parkimi pranë stadiumit. Pjesëmarrësit këshillohen të përdorin transportin publik, taksitë ose të shoqërohen me automjete që do të largohen menjëherë pas zbritjes.

Për të lehtësuar lëvizjen, qytetarët mund të përdorin linjat urbane L.4 City Park–Qendër, L.13 Tirana e Re, L.3 Kashar dhe L.58 Institut–Qendër, përveç linjës së dedikuar që do të shërbejë për koncertin.

Koncerti do të nisë në orën 20:00, ndërsa hyrja e publikut në stadium do të fillojë në 18:00. Policia njofton se efektivët do të jenë të angazhuar gjatë gjithë aktivitetit, duke menaxhuar hyrjen dhe daljen e pjesëmarrësve deri në përfundim të eventit.
 

Të fundit