Flash News

E-TJERA

Integrimi/ Media italiane: Mbështetja politike nuk mjafton, Shqipëria duhet të përmbushë standardet e BE-së

Shqipëria pritet të bëjë një tjetër hap në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa vendet anëtare kanë dhënë sinjale për mbylljen e përkohshme të tre kapitujve negociues: kapitullit 25 për shkencën dhe kërkimin, kapitullit 26 për arsimin dhe kulturën dhe kapitullit 30 për marrëdhëniet me jashtë.

Media italiane “Il Sole 24 Ore” shkruan se, në takimin e zhvilluar në Romë në kuadër të përpjekjeve të Italisë dhe grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së, u kërkua një shtysë e re për integrimin evropian të rajonit.

Megjithatë, për Shqipërinë, përparimi në disa kapituj negociues nuk përkthehet ende në një afat konkret për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mbyllja e kapitujve përbën një hap teknik brenda një procesi të gjatë, ndërsa sfidat kryesore të negociatave vijojnë të lidhen me fusha më të ndjeshme, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e institucioneve dhe zbatimi i reformave.

Sipas medias italiane, rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të varet nga përmbushja e standardeve evropiane dhe jo vetëm nga mbështetja politike e vendeve aleate.

“Karta e Romës”, e miratuar nga grupi i vendeve mbështetëse të zgjerimit, synon që procesi i anëtarësimit të jetë i parashikueshëm dhe të shmangë modele të një pjesëmarrjeje të pjesshme apo të një statusi të dorës së dytë për vendet kandidate. Por përtej deklaratave politike, sfida kryesore mbetet kthimi i angazhimeve në rezultate konkrete.

Në këtë kuadër, progresi i Shqipërisë në negociata shihet si një mundësi për të avancuar drejt BE-së, por njëkohësisht rikthen diskutimin nëse ritmi i reformave të brendshme po ecën në të njëjtin drejtim me procesin diplomatik.

Ndërsa Bashkimi Evropian po hap horizonte të reja për vende si Ukraina dhe Moldavia, për Shqipërinë mbetet ende pyetja kryesore: sa shpejt do të mund të kalojë nga përparimet teknike në një proces real drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian?

Të fundit