Flash News

OP-ED

Zeroja me xhufkë shkruan “Rilindja 2.0” 

Alfred Lela

Dy dokumente, në kufijtë e fantastikes, mbajnë firmën e Kryeministrit të Shqipërisë. Në fillim “Albanian Files”, dhe dje një tjetër, jo në volumin e të parit, por barabar, në mos më shumë, në atë të marrinave. E ka pagëzuar “Rilindje 2.0”, dmth një ‘rilindje e rilindjes’, një program supercharged, i përmirësuar, teknologjizuar, ultramodernizuar.

Në vetvete, dokumenti është përgjigjia e Ramës për protestën qytetare, apo përpjekja e tij për të thënë: “vetëm unë mund t’ua jap atë që doni”. Në anë tjetër është dëshpërimi i tij për t’u rishpikur. Duke qenë se lëvizja rinore e ka bërë të duket outdated, Rama kërkon të përballet me fenomenin, jo ashtu siç do të bënte një shtetar, por me një shtegshkurt (shortcut), siç din të bëjë një kollovar politik.

Ai e ka një rrugë burrash për të dëshmuar se, as opozita zyrtare, që ka protestuar pa ndërprerje, deri kur stafetën e mori lëvizja qytetare, nuk përfaqësojnë shumicën, siç pretendojnë. Kjo rrugë është ajo e tejrrahura në Europë, ku politikanët kanë dhënë dorëheqje dhe janë riprovuar në zgjedhje. Çka e bën të pasigurt Ramën është kërkesa e panegociueshme për qeveri kujdestare pra, jo ai, Balla dhe lukunia që administrojnë zgjedhjet për t’i fituar vetëm ata.

Për këtë ai ka shpikur “Rilindja 2.0”, një përpjekje e fundit për të bërë kontakt me protestuesit. Çka e bë dokumentin një punë të shëmtisë është superficialiteti i tij: bën mu me teknikë të inteligjencës artificiale, me fjali të shkurtra, aklamative, afirmative dhe jonjerëzore. 

Nëse stili dhe teknika e zbulojnë deri diku qëllimin, atë e saboton kryekreje mungesa e logjikës. Rama pretendon se Shqipëria është bërë, dhe tani i duhen latuar cepat, është përfunduar dhe tani duhet përkryer.

Qëllon të jem në Maltë teksa shkruaj këto radhë dhe, me një shembull të thjeshtë, dua të tregoj se ku ndryshon një vend normal nga vendi imagjinar dhe i pamundur i “Rilindje 2.0”, që propagandon Rama. 

Janë dy elementë themeltarë dhe jetësorë të së përditshmes së një qytetari europian, transporti publik dhe karburanti.

Transporti publik i Maltës është një rrjet autobusësh që e ka terminalin në qendrën historike të ishullit, Valeta, dhe mbulon thuajse gjithë territorin. Të udhëtosh në Maltë me transport publik, si resident, nuk paguan asgjë. Si i huaj/turist një biletë kushton 2.5 euro dhe mund ta përdorësh për 2 orë në çdo linjë, pa dallim.

Nafta dhe benzina do ta bënin çdo shqiptar të lëpinte buzët me një çmim tavan prej 1.2 euro për litër. Ashtu si në rastin e Shqipërisë, ka vetëm një distributor të madh, dhe çmimi është fiksuar nga shteti për të mos rënduar qytetarët në rast luhatjesh. Distributori fiton kur çmimi është i ulët në bursë dhe kur çmimi ngrihet në mënyrë të panatyrshme si psh në kohë lufte,  sipas një marrëveshjeje, shteti mbulon humbjet, por nafta i kushton maltezit 1.2 euro.

Ku futet Rama në këtë krahasim? Sa për naftën nuk keni nevojë për ndërmjetësimin tim për të shënuar se, një shqiptari i kushton litri i naftës 1 euro më shumë se një maltezi. As për atë se shteti shqiptar nuk kontrollon as sasinë dhe cilësinë e një litri kur furnizohesh, por mjaftohet duke ‘ta futur’ në çmim koston dhe fyerjen. 

Shembullit të transportit publik i mjafton Tirana, sepse një rrjet kombëtar do të ishte një ëndërr që as AI nuk e imagjinon për ta futur te “Rilindja 2.0” e Ramës. Më së pari, ai nuk është falas as për shtresat më nevojtare, jo më për të gjithë popullatën. Së dyti, oraret nuk ekzistojnë janë thjeshtë një lojë orientale nën shënjën e kismetit, dhe cilësia e mjeteve shihet me sy të lirë; mjafton të kundrosh dinosaurët e autobusëve-fizarmonikë, në një qytet hapësirat e të cilit janë ngushtuar sa për xhuxhët, për të kuptuar cilësinë, dhe vizionin e Ramallinjve të qeverisë për transportin publik në kryeqytet, dhe për çdo gjë publike për atë punë.

Në fund është koha, e cila nuk fal dhe e cila mat, më mirë se çdo dokument, program, propagandë apo pretendim, atë që ke bërë. Rama e ka drejtuar Tiranën për 3 mandate si kryebashkiak, dhe për po aq mandate ka drejtuar Shqipërinë si kryeministër. A nuk mundej që të kryente njërën apo të dyja këto nevoja kaq nevralgjike të shoqërisë, transportin publik dhe naftën? Sigurisht, po.  

Por, prisni, se ndoshta i biem në qafë më herët se duhet, të shohim mos ka bërë gjëra të tjera jetësore për mirëqenien dhe shëndetin publik. Të tilla si garantimi i ujit të pijshëm, shëndetësia që ka në fokus pacientin jo klientin; universiteti që i edukon Shqipërisë breza të së ardhmes; administrata publike që e sheh qytetarin si bashkëqytetar, jo si pre? Etj etj.

Nëse të gjitha këto pyëtje marrin Jo, është e qartë: Rama ofron dokumente me kapakë rozë, ide rozë dhe mjegull rozë, ngaqë në bardhezinë e përditshme të drejtimit të shtetit nuk ka rekorde pozitive. Ai nuk i ka ndërtuar Shqipërisë një shtyllë kurrizore të publikes, një kontratë sociale që shërben, jo vetëm për të sotmen, por edhe kohezionin.

Në mungesë të tyre ofron batuta, koncerte, kulla, Rilindjen Zero ‘m Zero, dhe pastaj 2.0, satelitët Albania 1 dhe 2, dronët që do sfidojnë qiejt, tankun Shota, edhe më të tmerrshëm se Panzeri gjerman, Lea Ypin si maskë të qindra lenkçukove, Mira Muratin si kompensim për vrasjen e Universitetit, e me radhë, e kështu deri në fund.

Rama ofron atë që nuk mundet të japë, sepse e di se gënjeshtra duhet të jetë e madhe, e zbukuruar, që të besohet më lehtë. Por kësaj radhe ai nuk është më në skenë, por spektator i asaj që po ndodh.    

Rilindja 2.0 është vetëm përpjekja e dëshpëruar për t’u ringjitur në skenë, një gënjeshtër e sofikstikuar me AI, një gërshetim simulues i Lea Ypit me Mira Muratin, pra një episode sci-fi. Por, ata në skenë po kërkojnë dinjitet, jo përralla. Dhe dinjiteti fillon nga aksesi te publikja i gjithsecilit shqiptar. Gjëra të thjeshta fare, të cilat atyre që kanë humbur prekjen me realitetin nuk u bëjnë përshtypje: transporti, nafta, uji, shkolla, zyrtari i shtetit që i sheh si bashkëqyetarë, jo bezdisje.

Cilin dokument, dhe kur, mund të ofrojë Edi Rama për këto?

 

Të fundit