Flash News

E-TJERA

Dhuna ndaj të miturës në Fier, gjykata lë në burg një të dyshuar, njëra shtrohet në spital psikiatrik

Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masat e sigurimit ndaj tre personave të dyshuar për ngjarjen e dhunës ndaj një të miture, e cila u bë publike përmes rrjeteve sociale.

Sipas organit të akuzës, për shtetasen me iniciale L.L. është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg", ndërsa për të miturën K.G. është caktuar "arrest në shtëpi". Ndërkohë, për të miturën tjetër me iniciale M.R., e konsideruar në konflikt me ligjin, gjykata ka urdhëruar shtrimin e përkohshëm në një institucion psikiatrik.

Prokuroria bën me dije se, gjatë hetimeve të deritanishme, janë mbledhur prova që kanë ngritur dyshime të arsyeshme se të treja kanë vepruar në bashkëpunim për kryerjen e veprës penale "Heqja e paligjshme e lirisë", parashikuar nga Kodi Penal.

Sipas hetuesve, zhvillimi i hetimeve dhe identifikimi i personave të përfshirë në ngjarje kanë bërë të nevojshme marrjen e masave të sigurimit për garantimin e ecurisë së procedimit penal.

Duke qenë se në këtë çështje janë të përfshirë të mitur, Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve, administratorëve të rrjeteve sociale dhe mediave të mos publikojnë apo shpërndajnë materiale filmike ose të dhëna që mund të zbulojnë identitetin e tyre, me qëllim mbrojtjen e privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të të miturve.

Të fundit