Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi: Të hënën kallëzim në SPAK ndaj Ramës për fondin e koncertit të Kanye West

bardhirama.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka njoftuar se opozita do të depozitojë të hënën një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, lidhur me fondin prej 4.2 milionë eurosh të akorduar për koncertin e reperit amerikan Kanye West.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi akuzon qeverinë për shpërdorim të fondeve publike dhe shkelje të ligjit, duke kujtuar se vetë Rama, kur ishte në opozitë, kishte denoncuar si abuzive shpenzimet prej 1 milion eurosh për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë.

"Kur Edi Rama ishte në opozitë denonconte tre evente publike, të organizuara për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me vlerë 1 milionë euro, duke i cilësuar si abuzim me ligjin dhe një opurtunitet korrupsioni. I njëjti Edi Rama, 14 vite më pas, miraton një fond 4.2 milionë euro për një koncert privat, pa asnjë procedurë, në shkelje flagrante të ligjit, me fondet që duhet të përdoren vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore apo masave të jashtëzakonshme.
Me standardin që ka vendosur vetë ai, Edi Rama duhet të përgjigjet penalisht për abuzimin me 4.2 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Prandaj, ditën e hënë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë e Posacme (SPAK) kundër Edi Ramës dhe Blendi Gonxhja, të cilët duhet të japin llogari para ligjit dhe qytetarëve për abuzimin flagrant me paratë e shqiptarëve", shkruan Bardhi. 

 

Të fundit