Flash News

Ditari i Maxhorancës

Spiropali s'i ndal 'thumbat' për Ramën: T'u përgjigjemi qytetarëve me përulësi, jo me arrogancë

-640-0-f8c7ca5ee5b01d6e419e1bc0359dd39e.jpg

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin e saj për hapjen e debatit mbi një "marrëveshje të re për Shqipërinë", duke artikuluar një sërë kërkesash për më shumë demokraci, përfaqësim dhe drejtësi shoqërore.

Në një deklaratë për mediat para seancës plenare, Spiropali theksoi se dokumenti nuk duhet parë si një nismë personale, por si një platformë e hapur për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste.

“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë”, deklaroi ajo.

Spiropali argumentoi se qytetarët presin më shumë nga politika dhe se Partia Socialiste duhet të tregojë gatishmëri për t'iu përgjigjur kërkesave për ndryshim, veçanërisht atyre që vijnë nga të rinjtë.

“Duhet më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore dhe një marrëdhënie më e drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Të rinjtë, që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, janë ata që presin më shumë nga ne. Kam besimin se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë të gjitha mundësitë për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave”, u shpreh ajo.

Spiropali nuk shmangu as 'thumbat' ndaj   kryeministrit Edi Rama për mënyrën se si qeverisja duhet të komunikojë me qytetarët. 

“Kjo nuk është përpjekje për fraksion, as për ndarje apo përçarje, por për bashkimin e të gjitha energjive progresiste të PS-së dhe të shoqërisë. Ne duhet t'u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi, duke i dëgjuar dhe duke kanalizuar edhe institucionalisht kërkesat e tyre”, tha Spiropali.

 

Të fundit