Flash News

E-TJERA

Apeli konfirmoi 16 vite burgim për Mario Përlleshaj, reagon babai i Martin Canit: Donim dënim më të rëndë, por…

 

Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin për Mario Përlleshajn, i akuzuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dy vite më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

babai i martin canit

Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar Përlleshajn me 16 vite burg për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë.

Por për Engjëllin, babanë e Martin Canit, dhimbja ka mbetur. Në një prononcim për mediat, pas përfundimit të seancës, ai është shprehur se nuk janë të kënaqur me dënimin e autorit, pasi pretendonin më shumë.

“Kjo që na ka ndodhur ne mos t’i ndodhë askujt. Dhimbja jonë është shumë e madhe. Ligjet janë ligje, por ne pretendonim një dënim më të madh. Dënimi është për 2 vepra penale. Një i ri mund të vrasë 50 persona sot me një bombë, dhe dënohet 12 vite burg. Siç e dini dhe ju janë 2 rrethana cilësuese. Falë Zotit që nuk ka pasur fëmijë të tjerë aty. Sa i përket autorit, Luisi ishte i vdekur, ndërkohë që Martinin e vrau me thikë në zemër. Dhimbja jonë është shumë e madhe”, tha ai.

martin cani

 Ngjarja e rëndë e vitit 2024 dhe vendimi i Apelit

Gjykata e Apelit ka lënë sot (15 korrik) në fuqi vendimin për dënimin me 16 vite burg të Mario Përlleshajt, i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin Cani në vitin 2024.

Në qershor, Apeli rihapi hetimin dhe vendosi kryerjen e raporteve psikologjike për autorin dhe për të miturin që mbeti i plagosur gjatë sherrit mes disa personave.

Në dhjetor 2025, Përlleshaj u shpall fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj të miturit tjetër që mbeti i plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes dy adoleshentëve që kishte nisur tre ditë më herët në shkollë.

Pas mësimit, sherri përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosjen e autorit. Hetimet konfirmuan se në ngjarje u përdor vetëm një thikë.

Rasti shkaktoi reagim të madh publik, protesta për sigurinë në shkolla dhe më pas çoi në vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok-ut për një vit.

Të fundit