Flash News

E-TJERA

Protestat kundër Ramës, France24: Dua Lipa ngre shqetësime për transparencën e qeverisë

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka shprehur mbështetjen e saj për protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit të resortit luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, raportoi media ndërkombëtare France24.

Në podcastin e saj “Service95 Book Club”, gjatë një bisede me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, Lipa u shpreh e shqetësuar për mënyrën se si qeveria shqiptare ka miratuar zhvillimin e projektit, duke kritikuar ndryshimet ligjore që, sipas saj, janë bërë pa konsultim publik.

“Ajo që më shqetëson në të vërtetë është parimi se qeveria mund të ndryshojë thjesht ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore, pa asnjë lloj konsultimi publik”, u shpreh këngëtarja 30-vjeçare.

Duke iu referuar protestave të përditshme, Lipa tha se e konsideron “shumë frymëzuese” faktin që njerëzit tregojnë kaq shumë kujdes dhe angazhim për këtë çështje.

Këngëtarja shtoi gjithashtu se është e qartë që problemi është më i gjerë dhe lidhet me struktura të tëra, duke theksuar nevojën për të rindërtuar “në një mënyrë që të mbështesë njerëzit”.

Projekti i resortit luksoz u prezantua për herë të parë në vitin 2024, por vala e fundit e protestave nisi pasi në fund të majit u shfaqën rrethime me tela me gjemba dhe mjete të rënda ndërtimi në plazhe.

Kundërshtimi ndaj projektit është kthyer në një pikë përplasjeje për pakënaqësitë ndaj korrupsionit të perceptuar, ndërsa kërkesat e protestuesve tashmë përfshijnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Komentet e këngëtares u mirëpritën nga aktivistja mjedisore Besjana Gurri, e cila në një deklaratë për AFP i cilësoi ato si një “mesazh të fuqishëm” për qeverinë shqiptare.

“Jam e bindur se zëri i saj do të ndihmojë në sjelljen e një vëmendjeje më të madhe ndërkombëtare ndaj kësaj beteje dhe do të rrisë ndërgjegjësimin për shqetësimet e njerëzve që protestojnë në Tiranë”, tha Gurri.

Të fundit