Flash News

E-TJERA

Operacion antidrogë në Valencia, autoritetet çmontojnë një rrjet me lidhje shqiptare

Një operacion i gjerë policor në provincën e Valencias, në Spanjë, ka çuar në goditjen e një rrjeti kriminal të përfshirë në kultivimin e kanabisit, ku sipas autoriteteve ishte i përfshirë edhe një grup shtetasish shqiptarë që bashkëpunonte me persona me kombësi spanjolle.

Gjatë operacionit u arrestuan 14 persona, ndërsa policia çmontoi tre plantacione të kanabisit të ngritura në ambiente të mbyllura, mes tyre edhe një plantacion i teknologjisë së lartë me 2.763 bimë në fazë të avancuar kultivimi. Gjithashtu u sekuestruan rreth 3.000 bimë kanabisi, armë zjarri dhe pajisje të tjera të përdorura për aktivitetin kriminal. Tre prej të arrestuarve janë lënë në paraburgim.  

Sipas hetuesve, hetimi nisi në muajin janar, pasi disa shtetas shqiptarë u vunë re duke transportuar pajisje për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura në zonën e Xirivella. Verifikimet zbuluan se disa prej tyre ishin hetuar edhe më parë, në vitin 2023, për veprimtari të ngjashme.

Autoritetet thanë se grupi përdorte masa të larta sigurie për të shmangur zbulimin. Anëtarët lëviznin me automjete të marra me qira, të cilat i ndërronin vazhdimisht, ndërsa kryenin udhëtime të shpeshta mes Murcias dhe Gironas për të zgjeruar aktivitetin dhe për të identifikuar ambiente të reja për kultivim.

Të arrestuarit akuzohen për trafik droge, mashtrim me energjinë elektrike dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Njëri prej tyre rezultonte i shpallur në kërkim nga drejtësia spanjolle për të njëjtën vepër penale.

Të fundit