Flash News

E SHPJEGUAR

Nga fondet publike te thirrjet kundër Ramës, skandalet që shoqëruan koncertin e Kanye West në Tiranë

Screenshot 2026-07-12 124933.png

Koncerti i Kanye West në Tiranë, i promovuar nga qeveria shqiptare si një ngjarje historike për imazhin ndërkombëtar të vendit, u shoqërua me një sërë debatesh dhe polemikash që nisën që përpara ngjitjes së artistit amerikan në skenë.

Nga vendimi për të përdorur rreth 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, te përfshirja e institucioneve publike në shpërndarjen e ftesave, kritikat për figurën kontroverse të reperit amerikan dhe deri te thirrjet politike kundër kryeministrit Edi Rama gjatë vetë koncertit, eventi u kthye në një nga çështjet më të diskutuara publike të ditëve të fundit. 

4 milionë euro nga fondi rezervë për një koncert privat
Vendimi më i debatueshëm ishte përdorimi i rreth 400 milionë lekëve të reja nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për mbështetjen e koncertit, shkruan politiko.al. 

Fillimisht qeveria e kishte prezantuar aktivitetin si një event privat, pa mbështetje financiare nga buxheti publik. Por vetëm pak ditë para koncertit, Këshilli i Ministrave miratoi fondin shtesë, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e nevojshme për të shmangur anulimin e aktivitetit dhe dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se fondet u përdorën “për të mos turpëruar Shqipërinë” përballë mijëra të huajve që kishin blerë bileta.

Por vendimi shkaktoi kritika të forta nga opozita dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët ngritën pyetjen se pse paratë e taksapaguesve duhet të përdoren për të mbuluar kostot e një aktiviteti privat.

Kritikët argumentuan se fondi rezervë i shtetit është krijuar për emergjenca si fatkeqësi natyrore, përmbytje, zjarre apo situata të paparashikuara dhe jo për të kompensuar mungesën e shitjeve të biletave të një koncerti.

Nxënësit në stadium: debati për përdorimin e shkollave
Një tjetër polemikë e madhe lidhej me përfshirjen e nxënësve në sigurimin e pjesëmarrjes në koncert.

Sipas raportimeve të BIRN, nxënës të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë u përfshinë në një grup WhatsApp të hapur nga një mësues, ku ishin publikuar emrat e tyre, të dhëna identifikimi dhe ftesa për pjesëmarrje falas në koncert.

Mësuesi përgjegjës deklaroi se ishte caktuar nga drejtoria e shkollës për të njoftuar dhe shoqëruar nxënësit, ndërsa përzgjedhja ishte bërë mbi bazën e rezultateve, kontributeve apo talenteve të tyre.

Por rasti hapi një debat më të gjerë: a duhet të përdoren institucionet arsimore për të mbushur një event privat?

Aktivistë të shoqërisë civile e kritikuan këtë praktikë, duke argumentuar se shkollat dhe mësuesit nuk duhet të shndërrohen në mjete promovimi për një aktivitet komercial.

Qeveria u përgjigj se shpërndarja e ftesave ishte pjesë e një nisme ndërinstitucionale dhe synonte t’u jepte akses në aktivitete kulturore nxënësve me rezultate të larta apo të rinjve me mundësi të kufizuara ekonomike.

 
“The Albanian Files”, dhurata që ndezi debat politik

whatsapp-image-2026-07-11-at-6-48-36-pm-6a52876ccf364-6a5293cadca84.jpeg
Një tjetër moment që u kthye në simbol të debatit ishte dhurata që kryeministri Rama i bëri Kanye West gjatë takimit në Kryeministri.

Pasi i prezantoi ambientet e institucionit, Rama i dhuroi reperit amerikan librin “The Albanian Files”, një botim që prej javësh është kthyer në objekt përplasjesh politike.

Për qeverinë, libri është një prezantim i zhvillimeve, projekteve dhe transformimit urban të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.

Por për opozitën dhe kritikët e qeverisë, shkruan politiko.al, i është kthyer në simbol të projekteve më të debatueshme të qeverisjes Rama, nga kullat në Tiranë, investimet strategjike dhe ndërhyrjet në zona të mbrojtura.

Kështu, në një moment kur koncerti po përballej me kritika për përdorimin e fondeve publike, zgjedhja e Ramës për t’i dhuruar pikërisht këtë libër artistit amerikan u interpretua nga kundërshtarët politikë si një mesazh simbolik.

Thirrjet “Rama, jep dorëheqjen” pushtojnë stadiumin
Pavarësisht skenës gjigante, mijëra pjesëmarrësve dhe përpjekjes për ta paraqitur koncertin si një sukses ndërkombëtar, atmosfera në disa momente mori edhe një ngjyrim politik.

Thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, të cilat prej 42 ditësh dëgjohen çdo mbrëmje në protestat qytetare në Tiranë, u dëgjuan edhe gjatë koncertit të Kanye West.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale dëgjohen grupe pjesëmarrësish që brohorasin kundër kryeministrit Edi Rama, duke kthyer për disa çaste një event muzikor në një skenë ku u shfaq pakënaqësia politike ndaj qeverisë.

Kjo ishte një tjetër goditje për një koncert që gjatë gjithë procesit të organizimit ishte vendosur në qendër të debatit politik për shkak të financimit publik.

Trafiku dhe mobilizimi shtetëror për një koncert privat
Përmasat e eventit sollën gjithashtu masa të jashtëzakonshme organizative.

Policia e Tiranës njoftoi kufizime të shumta të qarkullimit në zonën e Kasharit dhe në disa akse kryesore të kryeqytetit, për të menaxhuar fluksin e mijëra pjesëmarrësve.

Ndërkohë, përveç sigurisë dhe trafikut, u ngritën pikëpyetje për nivelin e ndërhyrjes shtetërore në një aktivitet privat.

 
Një sukses ekonomik apo një precedent i diskutueshëm?
Qeveria e ka justifikuar mbështetjen financiare me ndikimin ekonomik dhe turistik që pritet të sjellë koncerti.

Sipas argumentit zyrtar, një event i tillë mund të sjellë mijëra vizitorë të huaj, të ardhura për hotelet, restorantet, transportin dhe promovim ndërkombëtar të Shqipërisë.

Por kritikët kanë kërkuar transparencë për llogaritjet ekonomike dhe kostot reale të aktivitetit.

Ata argumentojnë se pa një bilanc të plotë financiar sa kushtoi organizimi, sa u siguruan nga biletat, sa pagoi organizatori dhe sa mbuloi shteti  mbetet e paqartë nëse përfitimi publik justifikon përdorimin e miliona eurove nga buxheti.

Kanye West e di Tiranën në Turqi
 Screenshot_20260712_120812_Chrome.jpg

Një gabim i pazakontë në platformën Spotify ka shkaktuar konfuzion dhe reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi lokacioni i koncertit të sotëm të planifikuar për Kanye West është listuar në mënyrë të gabuar.

Në njoftimin zyrtar të eventit, i cili është planifikuar për datën 11 korrik 2026, adresa është shfaqur “EAGLE STADIUM, Tirana, Tirana Türkiye, TR”. Ky lapsus i sistemit e rendit kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, si pjesë e Turqisë (Türkiye), duke shtuar edhe kodin “TR” në fund të përshkrimit.

Gabimi nuk ka kaluar pa u vënë re nga përdoruesit e internetit, të cilët e kanë interpretuar këtë si një shaka gjeografike. Pavarësisht se koncerti mban emrin e “Eagle Stadium” (Stadioni i Shqiponjës), një referencë që lidhet ngushtë me identitetin shqiptar, sistemi i automatizuar i platformës duket se ka “ngatërruar” kufijtë shtetërorë, duke e vendosur gabimisht Tiranën në hartën e Turqisë.

Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga platforma lidhur me këtë gabim teknik, ndërsa fansat shqiptarë presin korrigjimin e të dhënave.

Kanye West dhe hija e deklaratave kontroverse
Polemikat nuk lidhen vetëm me organizimin, por edhe me vetë figurën e artistit.

Kanye West, i njohur edhe si Ye, prej vitesh është një figurë kontroverse ndërkombëtare për shkak të deklaratave publike të akuzuara si antisemite, përdorimit të simboleve naziste dhe gjuhës së urrejtjes.

Pikërisht për këtë arsye, disa kritikë ngritën pyetjen nëse Shqipëria duhej të financonte një event të një artisti me një histori të tillë publike.

Nga ana tjetër, qeveria argumentoi se nuk gjykon artistët për polemikat e tyre dhe se Kanye West është një emër me famë botërore që mund të sjellë vëmendje ndërkombëtare për Shqipërinë.

Vetë West ka mohuar akuzat se është antisemit dhe ka kërkuar falje për disa deklarata të tij të mëparshme./S.Gj-Politiko.al

Të fundit