Flash News

SPORT

Mbi 500 foshnja marrin emrin e Haaland pas ndeshjeve në Botëror

Screenshot 2026-07-13 115824.png

Sukseset e Erling Haaland në Kupën e Botës kanë shkaktuar një fenomen të pazakontë mijëra kilometra larg Norvegjisë. Në Peru, qindra prindër kanë zgjedhur t’u vendosin fëmijëve të tyre emrin e sulmuesit norvegjez, i cili është kthyer në një nga figurat më të spikatura të turneut.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Identifikimit dhe Gjendjes Civile të Perusë (Reniec), 468 të porsalindur janë regjistruar me mbiemrin “Haaland”, ndërsa 91 fëmijë mbajnë emrin e plotë “Erling Haaland”.

Zëdhënësi i Reniec, Ivan Torres, tha se yjet e futbollit kanë një ndikim të madh te familjet peruane, të cilat shpesh zgjedhin emra të veçantë të frymëzuar nga sportistët më të njohur.

“Haalandi është gjithashtu peruan. Yjet e mëdhenj të futbollit shërbejnë si frymëzim që njerëzit t’u vendosin fëmijëve emra të njohur dhe të veçantë”, u shpreh Torres.

Sipas tij, pjesa më e madhe e regjistrimeve janë bërë pas nisjes së Kupës së Botës, sidomos pas suksesit historik të Norvegjisë, e cila siguroi për herë të parë një vend në çerekfinale të këtij kompeticioni.

Sulmuesi 25-vjeçar i Manchester Cityt, i njohur edhe me nofkën “Androidi”, ka qenë një nga protagonistët kryesorë të turneut. Haaland shënoi dy gola në fitoren ndaj Brazilit, duke ndihmuar Norvegjinë të shkruajë historinë.

Por ky nuk është rasti i parë që futbolli ndikon në zgjedhjen e emrave në Peru. Të dhënat zyrtare tregojnë se 3 402 persona mbajnë emrin “Messi”, prej të cilëve 292 janë regjistruar si “Lionel Messi”. Po ashtu, 1 185 persona quhen “Cristiano Ronaldo”, 1 241 mbajnë emrin “Yamal”, 238 “Mbappe”, ndërsa emri “Neymar” rezulton te 33 809 persona.

“Nuk mund t’i ndalojmë njerëzit të përdorin këta emra”, tha Torres, duke nënvizuar ndikimin e madh që kanë yjet e futbollit në shoqëri.

 

Të fundit