Flash News

Kosova

70 persona me simptoma helmimi në Prishtinë, 22 shtrohen në spital

Screenshot 2026-07-13 131604.png

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se gjatë katër ditëve të fundit është përballur me një numër të lartë pacientësh me simptoma që dyshohet se lidhen me helmim nga ushqimi.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 10 deri më 13 korrik, rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma si temperaturë, ethe, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, të cilat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

Nga këta, 22 pacientë janë shtruar në Klinikën Infektive për trajtim të specializuar, ndërsa ndodhen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

QKUK bën të ditur se të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar pranë Inspektoratit Shëndetësor, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse.

Rasti vjen pas dyshimeve se një numër personash janë helmuar pasi kanë konsumuar sanduiçë në një prej pikave të rrjetit "Sach Pizza" në Prishtinë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rastit, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vepron në koordinim me prokurorin dhe institucionet përgjegjëse për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme.

Të fundit