Flash News

Kosova

BE emëron diplomatin gjerman si të dërguarin e ri special për Kosovën

a8d56153-5970-4af8-a939-f2ac1479ff9f.webp

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur të emërojë diplomatin gjerman Dirk Schübel si Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për Kosovën. Ai do të nisë mandatin e tij më 1 shtator 2026, me një afat fillestar prej dy vitesh, duke pasuar në këtë detyrë diplomatin estonez Aivo Orav.

Në njoftimin zyrtar, Këshilli vlerëson Schübel si një diplomat me eksperiencë të gjerë në institucionet evropiane dhe në diplomacinë gjermane, ku ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese.

Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Më parë ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor, si dhe si shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi dhe Moldavi.

Sipas Këshillit të BE-së, mandati i Schübel do të përqendrohet në mbështetjen e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe multietnike, duke kontribuar në avancimin e perspektivës së saj evropiane përmes angazhimit politik dhe komunikimit publik.

Ai do të ndjekë nga afër progresin në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë, si edhe forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve. Gjithashtu, Schübel do të japë orientim politik për misionin EULEX dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Të fundit