Flash News

E-TJERA

Dyshime për pastrim parash, SPAK jep pretencën për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun

fatime-kryemadhi-ema-coku-pirro-xhixho.jpg

Dosja e veçuar nga çështja "Meta-Kryemadhi" po shkon drejt përfundimit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi Prokuroria e Posaçme paraqiti konkluzionet përfundimtare për tre të pandehurit: Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Pirro Xhixho për korrupsion.

Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet me procedurë të shkurtuar, pasi kanë pranuar gjykimin mbi bazën e akteve të administruara nga SPAK. 

Sipas Prokurorisë, Fatime Kryemadhi nuk arrin të justifikojë rreth 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara si pagesa nga kompania "Agi Cons" për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera, të cilat konsiderohen me burim të pajustifikuar.

SPAK argumenton se për blerjen e apartamenteve janë marrë dy kredi bankare, por ato janë shlyer me para në dorë, pa u provuar burimi i ligjshëm i këtyre shumave. Sipas prokurorëve, deklaratat noteriale që synojnë të justifikojnë këto pagesa janë hartuar vetëm pasi Fatime Kryemadhi ishte marrë në pyetje, ndërsa personat që pretendohet se kanë dhënë hua nuk rezultojnë të kenë deklaruar këto shuma në pikat e kalimit kufitar.

Në konkluzionet e saj, SPAK ndalet edhe te roli i Ema Çokut, për të cilën pretendon se ka pasur marrëdhënie të ngushta me Monika Kryemadhin. Kjo, sipas akuzës, mbështetet nga komunikimet mes tyre dhe një sërë transaksionesh bankare.

Prokuroria pretendon se Ema Çoku ka firmosur deklarata noteriale, sipas të cilave i kishte dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro, si dhe se kompania e saj ka mbuluar shpenzime hotelerie për shtetas të huaj të ardhur për të mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), si edhe aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI).

Sipas SPAK, Ema Çoku kishte detyrime të konsiderueshme ndaj bankave të nivelit të dytë dhe nuk dispononte kapacitete financiare për të kryer donacione në këto vlera. Për këtë arsye, organi i akuzës pretendon se ajo ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë përmes deklaratave noteriale.

Ndërkohë, procesi ndaj Monika Kryemadhit dhe ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në arrest që prej 21 tetorit 2024, vijon me procedurë të zakonshme.

Të fundit