Flash News

E-TJERA

Koncerti i Kanye West me fondet e shtetit, OCCRP: Qeveria e përdori për të sfumuar protestat

Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar koncertin e Ye, artistit të njohur më parë si Kanye West, me rreth 400 milionë lekë (4.9 milionë dollarë) nga fondi rezervë i shtetit ka shkaktuar kritika dhe akuza për përdorim politik të një aktiviteti kulturor.

Sipas një artikulli të OCCRP, përmes partnerit të saj Shteg.org, kritikët pretendojnë se mbështetja financiare për koncertin e 11 korrikut në Tiranë është përdorur si një spektakël për të zbehur vëmendjen nga protestat kundër qeverisë që vijojnë prej javësh.

Fondet u akorduan përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa qeveria e ka justifikuar vendimin si një investim për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe nxitjen e turizmit.

Shkrimtari dhe komentatori publik Fatos Lubonja e ka kritikuar ashpër këtë ndërhyrje, duke e cilësuar si një model “bukë dhe cirk”, ku paratë publike shpenzohen për argëtim ndërsa vendi përballet me probleme të tjera.

“Ndoshta po bëhet edhe për të kundërshtuar këtë protestë, për të organizuar një spektakël të madh që njerëzit të thonë: Shikoni sa shumë njerëz u mblodhën atje”, ka deklaruar Lubonja për Shteg.org.

Ai ka ngritur pikëpyetje mbi faktin që shteti financoi një aktivitet privat me një artist ndërkombëtar, duke e konsideruar vendimin një skandal dhe duke kërkuar më shumë transparencë në përdorimin e fondeve publike.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mbrojtur financimin, duke argumentuar se koncerti nuk duhet parë vetëm si një aktivitet privat, pasi pritet të sjellë ndikim ekonomik për turizmin, hotelet, restorantet dhe sektorët e tjerë të shërbimeve.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Shteg.org dhe OCCRP, kompania Redcloud kishte kërkuar mbështetje urgjente financiare më 3 korrik, duke argumentuar se aktiviteti rrezikonte të mos zhvillohej për shkak të kostove shtesë. Në dokument thuhet gjithashtu se rreth 70% e biletave ishin blerë nga shtetas të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se financimi ishte i nevojshëm për të shmangur një situatë të turpshme për Shqipërinë, pasi mijëra vizitorë të huaj kishin blerë bileta. Ai ka pretenduar se koncerti mund të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë përmes turizmit dhe akomodimit.

Ndërkohë, gazetarja Elsa Demo e ka cilësuar financimin e koncertit si pjesë të një modeli ku kultura përdoret si spektakël politik, duke argumentuar se ngjarje të tilla mund të ndikojnë në perceptimin publik dhe të largojnë vëmendjen nga angazhimi qytetar.

Edhe ekonomisti Zef Preçi ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e financimit, duke argumentuar se koncerti ishte njoftuar më herët dhe se mbështetja shtetërore, nëse do të jepej, duhej të kalonte përmes një procedure transparente dhe konkurruese, jo përmes një mekanizmi emergjent.

Debati për koncertin zhvillohet në një periudhë kur Tirana është përfshirë nga protesta të përditshme kundër qeverisë. Ato nisën fillimisht kundër një projekti resorti luksoz në bregdet të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe më pas u zgjeruan në kundërshtime për zhvillimet në zonat e mbrojtura, ndërtimet në bregdet dhe pretendimet për korrupsion.

Qeveria Rama ka mohuar akuzat për korrupsion. Ndërkohë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe kompania Redcloud nuk iu përgjigjën pyetjeve të Shteg.org mbi arsyet e financimit dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.

Artikulli i OCCRP përmend gjithashtu se Ye mbetet një figurë e diskutueshme ndërkombëtarisht, pasi disa vende europiane kanë anuluar ose penguar performancat e tij pas deklaratave të konsideruara pro-naziste dhe përdorimit të imazheve naziste.

 

Të fundit