Flash News

E-TJERA

Varret që Shqipëria ende nuk i ka gjetur

Varret që Shqipëria ende nuk i ka gjetur

Muret e vjetra të Spaçit ende dëshmojnë për një kohë kur një regjim u përpoq të zhdukte jo vetëm njerëzit, por edhe kujtesën e tyre.

Në këtë luginë të izoluar të Mirditës, ku mijëra të burgosur politikë u dërguan për të punuar në kushte çnjerëzore gjatë regjimit komunist, historia nuk është vetëm një kujtim i shkruar në libra.

Mbi tre dekada pas rënies së diktaturës, Shqipëria ende përballet me një nga plagët më të vështira të së kaluarës së saj: fatin e mijëra njerëzve të zhdukur, trupat e të cilëve nuk iu kthyen kurrë familjeve të tyre.

Në një aktivitet kushtuar kujtesës së diktaturës dhe viktimave të saj, ku morën pjesë ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, ish-të dënuar politikë, familjarë të viktimave, historianë dhe studiues, Spaçi u kthye në një vend dëshmie dhe kërkese për drejtësi historike.

 
Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat në Kuvendin e Shqipërisë, kërkoi ngritjen e një mekanizmi kombëtar për gjetjen, zhvarrimin dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste, duke argumentuar se kujtesa historike nuk mund të ndërtohet vetëm mbi monumente, ndërkohë që mijëra familje vazhdojnë të mos kenë një vend ku të vendosin lule.

“Ka vende ku historia lexohet, vende ku historia tregohet, por ka edhe vende ku historia ende dëgjohet. Historia flet përmes kujtimeve të atyre që mbijetuan, përmes emrave të atyre që nuk u kthyen dhe përmes familjeve që prej dekadash presin një përgjigje”, tha Tabaku në Spaç.

 

Krime të pa ndëshkuara

Regjimi komunist në Shqipëri, një nga më të ashpërit në Evropën Lindore, la pas mijëra viktima të ekzekutuara, të burgosura apo të zhdukura. Shumë prej familjeve të tyre nuk morën kurrë trupat e të afërmve dhe nuk patën mundësi të kryenin një ceremoni varrimi.

Tabaku tha se rreth gjashtë mijë persona rezultojnë të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës, duke nënvizuar se pas çdo shifre ekziston një histori njerëzore.

“Prapa çdo shifre kishte një emër, prapa çdo numri kishte një familje dhe prapa çdo ekzekutimi kishte një nënë që priste, një bashkëshorte që nuk dinte ku të vajtonte dhe një fëmijë që u rrit pa ditur se ku prehej babai”, tha ajo.

Duke u ndalur te revolta e Spaçit e 21 majit 1973, Tabaku kujtoi katër të dënuarit me vdekje: Pal Zefin, Hajri Pashajn, Dervish Bejkon dhe Skënder Dajën, trupat e të cilëve vazhdojnë të jenë pa një varr të identifikuar.

Revolta e Spaçit ishte një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës kundër regjimit komunist. Përballë kërkesave për më shumë liri dhe kushte më njerëzore, regjimi reagoi me dhunë dhe ndëshkime të rënda.

“Le t’i shqiptojmë emrat e tyre, sepse diktatura u përpoq t’i kthente në numra. Diktatura u mohoi një varr dhe detyra e shtetit demokratik është t’ua gjejë atë”, tha Tabaku.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zhvilluar vlerësime dhe hetime në disa zona ku dyshohet se mund të ndodhen mbetje të viktimave të komunizmit. Por procesi i identifikimit në Shqipëri ka ecur ngadalë, ndërsa familjarët dhe organizatat e kujtesës kanë kërkuar më shumë angazhim institucional.

Tabaku përmendi zona si Shpali, pranë Spaçit, dhe “Muri i Gjakut” në Shkodër, ku ekzistojnë dyshime dhe të dhëna për praninë e mbetjeve njerëzore.

“Shkenca ka folur, arkivat kanë folur, dëshmitarët kanë folur dhe familjet nuk kanë reshtur së foluri. Tani duhet të flasë shteti”, deklaroi ajo.

Sipas saj, çdo vend ku ka prova ose dyshime për varre të viktimave duhet të trajtohet përmes hetimeve zyrtare, me përfshirjen e institucioneve ligjzbatuese dhe ekspertëve mjekoligjorë.

Nisma e propozuar nga Tabaku përfshin krijimin e një databaze kombëtare për personat e zhdukur, mbledhjen sistematike të mostrave të ADN-së, hetime arkeologjike dhe mjekoligjore, si dhe një fond të posaçëm për kërkimet dhe identifikimet.

 
Por debati që u hap në Spaç shkon përtej një çështjeje administrative. Ai prek mënyrën se si një shoqëri vendos të përballet me krimet e së kaluarës.

Një muze mund ta ruajë kujtesën e një regjimi. Por për familjet që presin ende përgjigje, kujtesa nuk përfundon te muret.

“Nuk mjafton të restaurojmë muret nëse nuk gjejmë njerëzit. Nuk mjafton të vendosim pllaka përkujtimore nëse nuk u japim përgjigje familjeve”, tha Tabaku.

Në Spaç, ku gurët ende mbajnë gjurmët e një prej kapitujve më të errët të historisë shqiptare, beteja për kujtesën nuk është më vetëm një çështje e së shkuarës. Ajo është një provë për të tashmen.

Për familjet që prej dekadash presin të dinë se ku prehen të afërmit e tyre, drejtësia nuk matet me përvjetorë, monumente apo fjalime përkujtimore. Ajo nis me një kërkim konkret: me hapjen e një dosjeje, me një hetim, me një gërmim në tokë dhe me kthimin e një emri aty ku dikur u la vetëm heshtje.

Regjimi që i zhduku këta njerëz synoi t’u fshinte jo vetëm jetën, por edhe kujtesën. Detyra e një shteti demokratik është e kundërta: t’i nxjerrë nga harresa, t’u rikthejë identitetin dhe t’u japë familjeve mundësinë për të vajtuar me dinjitet.

Gjetja e të zhdukurve, identifikimi i tyre dhe kthimi i eshtrave pranë familjeve nuk është thjesht një akt administrativ apo një detyrë historike. Është një detyrim njerëzor dhe një shenjë e funksionimit të një shteti që pranon të përballet me të shkuarën e tij.

Spaçi duhet të mbetet një vend kujtese, por kujtesa nuk mund të ndërtohet vetëm mbi rrënoja dhe pllaka përkujtimore. Ajo kërkon edhe emrat e atyre që mungojnë, historitë e tyre dhe të drejtën për një prehje që iu mohua për dekada./ Lindita Çela, Shteg.org

Të fundit