Flash News

OP-ED

Diktatorët nuk ngrihen vetëm

Marsel Lela

Ekziston një iluzion që shoqëritë e kultivojnë për të mbrojtur ndërgjegjen e tyre: se tragjeditë historike janë vepër e një njeriu të vetëm. Sikur një komb të mund të shkatërrohej nga vullneti i një individi, ndërsa miliona të tjerë të mbeteshin thjesht spektatorë të pafajshëm.

Por historia dëshmon të kundërtën.

Asnjë diktator nuk është bërë diktator pa njerëz përreth tij që e duartrokasin, që e admirojnë dhe miratojnë vizionin e tij. Asnjë tiran nuk ka sunduar vetëm me forcën e armëve dhe forcës. Armët krijojnë frikë, por nuk mjaftojnë për të ndërtuar një regjim që zgjat me dekada. Për këtë nevojiten burokratë që firmosin, intelektualë që justifikojnë, gazetarë që propagandojnë, gjykatës që heshtin, biznesmenë që përfitojnë, qytetarë që mbyllin sytë dhe idealistë që besojnë verbërisht se po ndërtojnë një botë më të mirë.

Përbindëshi politik nuk lind vetëm, piedestali i tij nuk ngrihet vetëm. Ai ushqehet.

Në Shqipëri kemi prirjen ta përmbledhim të gjithë periudhën e errët të diktaturës komuniste në një emër të vetëm: atë të Enver Hoxhës. Sigurisht, ai mban përgjegjësinë kryesore si kreu i këtij organizmi politik. Ai projektoi sistemin, urdhëroi terrorin dhe ndërtoi mekanizmin e shtypjes. Por do të ishte një ngushëllim i rremë të besonim se gjithçka ishte vepër e një njeriu të vetëm. Kush i mbushi burgjet? Kush hartoi dosjet? Kush spiunoi fqinjin, kolegun, kushëririn? Kush heshti kur të tjerët internoheshin? Kush pranoi privilegjet që sistemi i ofroi në këmbim të ndërgjegjes?

Një diktaturë nuk është vetëm një udhëheqës, por një kulturë e tërë bashkëpunimi me të keqen.

Po aq e rrezikshme është edhe prirja jonë e sotme për ta personifikuar çdo problem te një figurë politike.

Për disa, sot i gjithë problemi quhet Edi Rama. Nesër do të ketë një emër tjetër. Por pyetja mbetet e njëjtë: kush e mban në pushtet? Kush e voton? Kush e justifikon çdo gabim sepse "edhe të tjerët janë njësoj"? Kush hesht sepse ka frikë të humbasë një vend pune, një favor, një kontratë, një rehati të vogël?

Portreti politik që Edi Rama ka ndërtuar gjatë këtyre viteve nuk mbështetet vetëm mbi pushtetin formal të institucioneve, por mbi një kulturë të tërë pritjeje, nënshtrimi dhe normalizimi. Forca më e madhe e këtij modeli nuk është frika që ai imponon, por lodhja që prodhon tek qytetarët. Shoqëria shqiptare është mësuar me idenë se asgjë nuk ndryshon, se rezistenca është e kotë dhe se kompromisi është mënyra më e mençur për të mbijetuar. Se votat gjithësesi do të blihen, se një dorë e padukshme i lëviz gjërat, që qytetari nuk ka asgjë në dorë për të ndryshuar realitetin. Pikërisht në këtë pikë pushteti bëhet më i rrezikshëm: kur i bind njerëzit se nuk ia vlen më të kundërshtojnë. Dhe Edi Rama ka bërë pikërisht këtë. Për katër mandate ka kryer hapur shkeljet më flagrante që një kryeministër mund të kryejë ndonjëherë, duke krijuar tek shoqëria idenë se është e kotë t’i kundërvihesh.

Në këtë kuptim, Edi Rama është më shumë se një individ; ai është simptoma më e dukshme e një shoqërie që ka toleruar për vite me radhë përqendrimin e pushtetit, personalizimin e institucioneve dhe zëvendësimin e llogaridhënies me kultin e liderit. Sa më shumë që publiku pranon idenë se shteti identifikohet me një njeri të vetëm, aq më shumë dobësohen institucionet dhe aq më pak rëndësi ka se kush do të vijë pas tij. Sepse modeli mbetet i paprekur edhe kur ndryshon emri në derën e kryeministrisë.

Demokracitë nuk rrënohen vetëm nga ambicia e liderëve. Ato rrënohen edhe nga indiferenca e qytetarëve.

Historia na mëson se shoqëritë rrallë humbin lirinë menjëherë. Ajo humbet pak nga pak, sa herë që e vërteta sakrifikohet për interesin personal, sa herë që dinjiteti shitet për një privilegj të vogël, sa herë që bindja zëvendësohet nga konformizmi. Njerëzit nuk bëhen bashkëpunëtorë të së keqes domosdoshmërisht nga ligësia; shpesh bëhen nga oportunizmi. Dhe oportunizmi është një nga forcat më shkatërrimtare në histori.

Ekziston edhe një kategori tjetër: idealistët e verbër. Ata nuk përfitojnë domosdoshmërisht nga regjimi; ata besojnë tek ai. Ata janë të bindur se qëllimi i madh justifikon çdo mjet. Pikërisht kjo i bën të rrezikshëm. Ata falin padrejtësinë në emër të një utopie. Heshtin përballë dhunës sepse mendojnë se është e përkohshme. Mbrojnë liderin edhe kur faktet e rrëzojnë, sepse kanë investuar identitetin e tyre tek ai. Fanatizmi politik, njësoj si fanatizmi fetar, e bën njeriun të paaftë të dallojë të mirën nga e keqja.

Edmund Burke shkroi se "e vetmja gjë e nevojshme që e keqja të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë". Edhe nëse kjo fjali nuk mund të dokumentohet me siguri si e tij, e vërteta që përmban mbetet e fuqishme. Tirania nuk fiton vetëm nga forca e tiranit; ajo fiton nga dobësia morale e shoqërisë.

Prandaj pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: "Kush është diktatori?" Pyetja është: "Çfarë lloj shoqërie e bëri të mundur ngeritjen e tij?"

Sepse kur një komb ia hedh të gjithë fajin një njeriu, ai rrezikon të mos mësojë asgjë nga historia. Ai pret vetëm ndryshimin e emrit të udhëheqësit, ndërsa ruan të njëjtat zakone: servilizmin, heshtjen, adhurimin e pushtetit, shitjen e ndërgjegjes për interesa meskine.

Dhe atëherë historia nuk përsëritet sepse lind një diktator i ri. Ajo përsëritet sepse mbetet e njëjta shoqëri që është gati ta prodhojë atë.

Hannah Arendt vërejti se e keqja shpesh nuk paraqitet me fytyrën e një përbindëshi. Ajo vjen me fytyrën e njeriut të zakonshëm që ka pushuar së menduari. Njeriu që nuk pyet më nëse diçka është e drejtë, por vetëm nëse është e leverdishme, e sigurt ose e pranueshme. Shoqëritë nuk bëhen të rrezikshme vetëm kur mbushen me njerëz të ligj; ato bëhen të rrezikshme kur mbushen me njerëz që kanë hequr dorë nga përgjegjësia morale për të gjykuar.

Solzhenicini shkroi se vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon mes klasave, kombeve apo partive politike; ajo kalon përmes zemrës së çdo njeriu. Kjo është arsyeja pse asnjë shoqëri nuk imunizohet përgjithmonë kundër tiranisë. Çdo brez duhet ta fitojë lirinë së pari brenda vetes, duke refuzuar gënjeshtrën, sado e dobishme apo e rehatshme të jetë ajo. Një popull që mësohet të jetojë me gënjeshtrën, herët a vonë do të mësohet edhe të jetojë pa liri.

Regjimet autoritare nuk kanë nevojë që shumica e njerëzve të jenë fanatikë. U mjafton që shumica të jetë e lodhur, cinike ose e painteresuar. Kur qytetari bind veten se "nuk ia vlen të flas", se "asgjë nuk ndryshon", ose se "dikush tjetër le ta bëjë", ai pa e kuptuar është bërë aleati më i vlefshëm i çdo pushteti që nuk njeh kufij.

Të fundit