Flash News

Bota

Mbi 10 mijë viktima nga vala ekstreme e të nxehtit në Evropë, të moshuarit më të prekur

Evropa1783933644.webp

Valët ekstreme të të nxehtit që përfshinë Evropën Perëndimore në fund të muajit qershor kanë shkaktuar një bilanc tragjik, me më shumë se 10 mijë viktima të raportuara në disa vende të kontinentit.

Sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, sistemi evropian i monitorimit të vdekshmërisë i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mbi 9 mijë prej viktimave ishin persona të moshës 65 vjeç e lart.

Temperaturat rekord u regjistruan në disa shtete evropiane, ndërsa Franca, Spanja, Belgjika dhe Britania e Madhe raportuan një rritje të ndjeshme të vdekjeve të lidhura me vapën ekstreme.

Sipas grupit shkencor World Weather Attribution, episodet e nxehtësisë së qershorit do të kishin qenë "pothuajse të pamundura" pa ndikimin e ndryshimeve klimatike, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit gjithnjë e më intensive dhe më të shpeshta.

Situata në Mbretërinë e Bashkuar
Një studim i realizuar nga ekspertë të Imperial College London, Met Office dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine vlerëson se rreth 2.700 persona humbën jetën në Angli dhe Uells si pasojë e dy valëve të të nxehtit që goditën vendin gjatë muajve maj dhe qershor.

Sipas analizës, rreth 550 viktima u regjistruan në periudhën 21–29 maj, ndërsa afro 2.200 të tjera humbën jetën gjatë intervalit 18–28 qershor.

Gjatë kësaj periudhe, Anglia shënoi temperatura rekord për muajt përkatës, duke arritur deri në 35.1°C në maj dhe 37.7°C në qershor.

"Ishin valë të jashtëzakonshme të të nxehtit, jo vetëm për Britaninë e Madhe, por për të gjithë Evropën Perëndimore, veçanërisht për faktin se ndodhën kaq herët gjatë vitit", tha Mark McCarthy nga Met Office.

Autorët e studimit theksojnë se ngrohja globale ka rritur temperaturat maksimale me rreth 3 deri në 4 gradë Celsius, duke i bërë këto episode shumë më të rrezikshme dhe me pasoja më të rënda për shëndetin publik.

Të fundit