Flash News

Bota

Ngushtica e Hormuzit bëhet përsëri fushëbetejë kyçe, rritet çmimi i naftës

hormuz.webp

Kemi parë një rritje të ndjeshme të çmimeve krahasuar me të njëjtën kohë dje, e gjitha si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Lajmi se Donald Trump dëshiron që Shtetet e Bashkuara të bëhen "garantuesi" i ngushticës së Hormuzit dhe të vendosin një tarifë prej 20% mbi çdo ngarkesë që kalon aty, ndikoi në rritjen e çmimit të naftës Brent, shkruan Sky News. 

Sulmet iraniane ndaj cisternave gjatë natës në ngushticë vetëm sa kanë forcuar bindjen se kjo rrugë jetike për transportin e naftës dhe gazit është, të paktën për momentin, jashtë funksionit.

Rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz kalon normalisht përmes Ngushticës së Hormuzit, përfshirë edhe eksportet iraniane, të cilat Donald Trump ka deklaruar se do t’i bllokojë sërish.

Një fuçi naftë Brent për dorëzim në të ardhmen po tregtohet aktualisht pranë nivelit të 85 dollarëve.

Në këtë nivel, çmimi është rreth 13 dollarë më i lartë se përpara shpërthimit të konfliktit, por ende mbetet dukshëm nën kulmin e luftës, kur kaloi mbi 120 dollarë për fuçi.

Megjithatë, çmimet e larta të energjisë përbëjnë një rrezik serioz për rritjen e inflacionit. Kjo ka shtuar frikën se bankat qendrore mund të detyrohen të rrisin sërish normat e interesit për të frenuar pasojat ekonomike, një zhvillim që tashmë po reflektohet edhe në tregjet financiare.

Investitorët preferojnë kosto sa më të ulëta të huamarrjes dhe jo masa që frenojnë rritjen ekonomike.

Në këtë konflikt, Ngushtica e Hormuzit është kthyer në pikën kyçe të përplasjes, me rëndësi vendimtare për të gjitha palët.

Të fundit