Flash News

Ditari i Opozitës

"Akuzat janë rënduar", Kaso-kreut të SPAK: Pse nuk kërkoni heqjen e imunitetit për Ballukun?

ivi-kaso.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka kërkuar shpjegime nga SPAK lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pikëpyetje se përse Prokuroria e Posaçme nuk i është drejtuar sërish Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj, pas rëndimit të pozitës penale.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku ishte i pranishëm edhe kreu i SPAK, Kaso tha se hetimet ndaj Ballukut tashmë përfshijnë akuza më të rënda, përtej shkeljes së barazisë në tendera, duke përmendur dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas deputetit demokrat, mazhoranca në Kuvend refuzoi kërkesën e parë për heqjen e imunitetit duke u justifikuar se ajo lidhej vetëm me një akuzë të caktuar, ndërsa sipas tij, situata tashmë ka ndryshuar.

“Kuvendi u fsheh pas gishtit duke thënë se për këtë akuzë nuk procedojmë t’ia heqim imunitetin, ndërsa për akuza të tjera më të rënda mund ta bëjmë”, deklaroi Kaso.

Sipas tij, gjatë zhvillimit të hetimeve janë shtuar elementë të rinj, pasi ndaj bashkëpunëtorëve të saj janë ngritur akuza të tjera, ndërsa janë kryer edhe sekuestrime asetesh që lidhen me hetimin, duke përmendur edhe vilën e sekuestruar në Dhërmi.

“Pozita e ish-zëvendëskryeministres është rënduar dhe pavarësisht kësaj ende nuk i jeni drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit”, tha Kaso, duke kërkuar të dijë nëse kjo lidhet me qëndrimin e mazhorancës apo me strategjinë e hetimit të SPAK.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se refuzimi i parë i Kuvendit mund të ketë ndikuar në ecurinë e hetimit, duke kërkuar një sqarim nga drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme.

Të fundit