Flash News

Rajoni

“Do ta spastroja Kosovën etnikisht”, kush është ministrja serbe që u shpall “persona non grata”

Screenshot 2026-07-15 100906.png

Kosova ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar asaj në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi i autoriteteve kosovare erdhi pas deklaratave të saj për Kosovën dhe shqiptarët, ku në një intervistë për median serbe “Kurir” ajo u shpreh se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Deklarata u bë pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, duke shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Institucionet dhe përfaqësuesit politikë në Prishtinë e dënuan gjuhën e përdorur nga ministrja serbe, ndërsa reagime pati edhe nga Bashkimi Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Por, kush është Snezhana Paunoviq?

Paunoviq ka lindur në Pejë dhe, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë që drejton në Serbi, është ekonomiste e diplomuar. Ajo është pjesë e Partisë Socialiste të Serbisë që prej vitit 1992, subjekt i themeluar nga Sllobodan Millosheviqi dhe që sot drejtohet nga Ivica Daçiq.

Gjatë karrierës së saj politike, ajo ka mbajtur poste të rëndësishme brenda kësaj partie. Për dy mandate ka qenë nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Serbisë dhe drejtuese e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Që prej vitit 2017 është pjesë e Kryesisë së SPS-së, ndërsa nga viti 2024 mban postin e nënkryetares së partisë.

Në dhjetor të vitit 2021, Paunoviq kishte vizituar komunën e Shtërpcës në Kosovë, së bashku me deputete të tjera serbe, ku ishte takuar me kryetarin e kësaj komune nga radhët e Listës Serbe. Në atë rast, ajo kishte theksuar lidhjen e kësaj partie me institucionet e Serbisë dhe kishte vlerësuar “mbështetjen e ndërsjellë” mes tyre.

Me vendimin e fundit të Prishtinës, ajo është bërë një tjetër zyrtare serbe që nuk lejohet të hyjë në territorin e Kosovës për shkak të deklaratave të saj.

Rasti i Paunoviqit nuk është i izoluar. Në të kaluarën, disa zyrtarë serbë kanë përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Një prej tyre është edhe ish-ministri serb Aleksandar Vulin, i cili në një dalje televizive kishte përdorur termin fyes “šiptari” për shqiptarët, duke i akuzuar ata për veprime kriminale në territorin e Serbisë.

Të fundit