Flash News

E-TJERA

Protestat kundër qeverisë hyjnë në ditën e 46-të, qytetarët rikthehen para Kryeministrisë

Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe këtë mbrëmje, duke shënuar ditën e 46-të të tubimeve të njëpasnjëshme në Tiranë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të verës, pavarësisht temperaturave të larta dhe fluksit të sezonit turistik. Sipas tyre, qytetarët do të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë, ku do të përsëriten thirrjet për ndryshim politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lëvizja nisi pas debatit për projektin e zhvillimit në Zvërnec, por më pas mori përmasa më të gjera, duke u kthyer në një protestë kundër qeverisjes. Gjatë javëve të fundit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar marshime në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur pakënaqësitë e tyre përmes fjalimeve dhe pankartave.

Në tubimet e fundit, organizatorët kanë deklaruar se protesta nuk do të ndalet gjatë muajve të verës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që të vijojnë mbështetjen.

Sipas tyre, presioni qytetar ndaj qeverisë do të vazhdojë deri në muajin shtator, ndërsa protestat do të mbeten aktive çdo mbrëmje para godinës së Kryeministrisë.

Të fundit