Flash News

SPORT

Finalja e Botërorit, biletat arrijnë shifra marramendëse

Entuziazmi për finalen e Kupës së Botës 2026 po shoqërohet me polemika të forta për çmimet e biletave, të cilat kanë arritur nivele rekord dhe po i mbajnë larg stadiumit shumë tifozë të zakonshëm.

Përballja që do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në New Jersey ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm, por kostoja e lartë e biletave ka shkaktuar pakënaqësi të madhe, veçanërisht mes tifozëve spanjollë. Sipas të dhënave të publikuara nga platformat e shitjes, bileta më e lirë për finalen kushton mbi 4.400 euro, ndërsa vendet më ekskluzive po ofrohen për shifra që kalojnë 188 mijë euro.

Në tregun e rishitjes janë raportuar edhe oferta ekstreme që arrijnë deri në 2 milionë euro, megjithëse nuk ka informacion nëse këto bileta janë blerë realisht.

Për situatën ka reaguar edhe presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, i cili kritikoi ashpër rritjen e çmimeve. Ai theksoi se shumë tifozë po përballen me shpenzime të papërballueshme, duke përmendur jo vetëm biletat, por edhe kostot e larta të udhëtimit dhe akomodimit në SHBA.

Sipas tij, ndjekja e finales është kthyer në një privilegj për një numër të kufizuar njerëzish, ndërsa tifozët e zakonshëm po e kanë gjithnjë e më të vështirë të jenë pranë ekipit të tyre në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë.

Raportimet tregojnë se FIFA kishte përcaktuar fillimisht disa kategori çmimesh për biletat e Botërorit, por kërkesa e jashtëzakonshme për finalen ka sjellë një rritje të ndjeshme të tyre në treg, duke e shndërruar sigurimin e një bilete në një sfidë financiare për shumicën e tifozëve.

Të fundit