Flash News

SPORT

Argjentina gjunjëzon Anglinë, siguron finalen me Spanjën

Screenshot 2026-07-15 231521.png

Argjentina përmbysi Anglinë në minutat e fundit dhe siguroi një vend në finalen e Kupës së Botës, ku do të përballet me Spanjën në një duel mes dy pretendentëve kryesorë për trofeun.

Kampionët në fuqi triumfuan 2-1 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta, duke përmbysur rezultatin në minutat e fundit të takimit. Në finalen e madhe, "Albiceleste" do të sfidojë Spanjën, e cila një ditë më parë eliminoi Francën me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste në të dy portat, por pa gola. Argjentina iu afrua avantazhit në minutën e 39-të, kur Enzo Fernandez provoi me një goditje të fortë nga distanca, por topi përfundoi pak mbi traversë. Gjatë fraksionit të parë, Lisandro Martinez dhe Elliot Anderson u ndëshkuan me kartonë të verdhë.

Në nisje të pjesës së dytë, Julian Alvarez vuri në provë portierin Jordan Pickford, i cili reagoi me sukses.

Megjithatë, ishte Anglia ajo që kaloi e para në avantazh. Në minutën e 55-të, Morgan Rogers harkoi saktë në zonë, ndërsa Anthony Gordon i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes dhe shënoi për 1-0.

Pas golit të pësuar, Argjentina mori kontrollin e lojës dhe intensifikoi sulmet. Pickford bëri një tjetër pritje vendimtare ndaj një goditjeje me kokë të Nicolas Gonzalez, ndërsa Alexis Mac Allister goditi shtyllën, duke sinjalizuar se barazimi ishte vetëm çështje kohe.

Goli i shumëpritur erdhi në minutën e 85-të. Lionel Messi shërbeu për Enzo Fernandez, i cili me një goditje të saktë nga hyrja e zonës mposhti Pickfordin dhe riktheu ekuilibrin në rezultat.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Argjentina goditi sërish. Në minutën e dytë shtesë, Messi harkoi në mënyrë perfekte në zonë, ndërsa Lautaro Martinez shënoi me kokë golin e fitores, duke vulosur rezultatin 2-1.

Me këtë sukses, Argjentina siguron finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës dhe do të ketë mundësinë të mbrojë titullin përballë Spanjës, në një finale që pritet të jetë një nga më spektakolaret e viteve të fundit.

Të fundit