Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: PD përmbyll riorganizimin e strukturave, ripërtëritja do të vazhdojë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD ka përmbyllur procesin e konstituimit të të gjitha strukturave drejtuese të saj, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për partinë.

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar dhe përfundimit të procesit të votimit, Berisha tha se riorganizimi është bërë në frymën e ripërtëritjes, të cilën e cilësoi si moton kryesore të Kuvendit Kombëtar të PD-së.

I pyetur nëse Partia Demokratike është gati për zgjedhjet e ardhshme me ekipin që po votohej, Berisha u shpreh se formacioni i ri drejtues është më i forti që partia ka pasur ndonjëherë.

"Me këtë sot, ajo ka një ekip që nuk e ka patur kurrë më parë. Të garantoj që një ekip si ky në kompetencë dhe eksperiencë, në formim, është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat dhe këtë ju mund të merrni të shqyrtoni me radhë. Në këtë ekip që ju keni sot para, ka personalitete të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore. Ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre, në fushën politike, pra unë them se asnjëherë në histori një ekip si ky nuk ka patur. Ka një përfaqësim më të madh se asnjëherë të të rinjve, dhe kjo është direktiva e Kuvendit, ka një përfaqësim të zonjave, ka pra një proporcionim të shkëlqyer të të gjitha sensitiviteteve, të të gjitha potencialeve të kësaj partie", tha Berisha.

Në lidhje me kritikat e ngritura nga disa zëra brenda PD-së se procesi i ripërtëritjes nuk ka prekur të gjitha nivelet drejtuese,Berisha tha se çdo mendim është legjitim.

"Këto zëra janë normale, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por siç e shihni, ne votojmë me dy kandidatura, votojmë fshehtas, dhe njëherë them, që kandidaturat e paraqitura para Këshillit Kombëtar janë kandidaturat më, do të thosha, të pakrahasueshme në kualitetet e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm", u shpreh kreu i PD.

Berisha tha se procesi i ripërtëritjes nuk përfundon me votimin e sotëm.

"Tani, ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do jetë doradorës. Gjithçka do bëhet, ndryshimet që do dalin, se ne do presim rezultatet e votimit. Por them dhe njëherë, se ka një ripërtëritje të thellë të të gjithë udhëheqjes, drejtuese, të Partisë Demokratike, të paprecedentë", tha kryedemokrati.

Të fundit