Flash News

Kosova

Gërvalla kallëzon penalisht ministren serbe: Nuk do të tolerojmë gjuhën e urrejtjes

d,g.png

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviç, pas deklaratave të kësaj të fundit që, sipas saj, nxisin urrejtje dhe justifikojnë spastrimin etnik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla tha se institucionet e Kosovës nuk do të qëndrojnë në heshtje përballë deklaratave që cenojnë paqen, bashkëjetesën dhe dinjitetin e viktimave të luftës.

Sipas ministres, shkak për kallëzimin u bë një intervistë e dhënë nga Paunoviç më 12 korrik në një media serbe, ku ajo deklaroi se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç, do të kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998. Gërvalla e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme dhe në kundërshtim me normat vendore e ndërkombëtare.

"Sot kam deponuar Kallëzimin Penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. 

Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore", shkruan Gërvalla.

 

Të fundit