Flash News

Rajoni

Ministrja serbe kërkon falje pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”: U nxor jashtë kontekstit

c50efab6-8ed4-46bb-9e58-6b8f214d515b (1).webp

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, e cila shkaktoi reagime të forta në Kosovë, Serbi dhe në arenën ndërkombëtare.

Paunoviq iu drejtua me një kërkimfalje presidentit Aleksandar Vuçiç, qeverisë serbe dhe kryeministrit Gjuro Macut, duke pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga një intervistë ishte shkëputur vetëm një fragment prej disa sekondash.

Megjithatë, në intervistën e dhënë për televizionin serb “Kurir TV”, ministrja dëgjohet duke deklaruar se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

“Ky ishte rrëfimi im personal, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme që duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, tha Paunoviçnë një intervistë për “Informer TV”.

Ajo pretendoi se me fjalën “spastrim” kishte pasur parasysh largimin e personave që, sipas saj, “nuk e ndienin veten pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa ata që do të kryenin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si të tillë.

Ministrja serbe falënderoi mbështetësit e saj, veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), pjesë e së cilës është, ndërsa kritikoi opozitën dhe disa media serbe për reagimet ndaj deklaratës, duke i akuzuar se po e përdorin çështjen për përfitime politike.

Ajo komentoi edhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur “persona non grata”, duke e cilësuar atë si paradoksal dhe duke pretenduar se ndalimi i hyrjes është vendosur nga “institucionet e përkohshme të Kosovës”.

Deklarata e saj është dënuar nga organizata të shoqërisë civile dhe figura të opozitës në Serbi, të cilat kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të saj.

Reagime pati edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u përpoq të distancohej nga deklarata e ministres, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson qëndrimin e presidencës apo të qeverisë së Serbisë.

“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, dhe kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë plotësisht i qartë”, tha Vuçiç.

Të fundit