Flash News

Bota

OBSH paralajmëron: Nxehtësia ekstreme po kthehet në një rrezik serioz për shëndetin

obsh.jpg

Valët e të nxehtit po shndërrohen në një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në Europë, ndërsa ndryshimet klimatike po rrisin intensitetin dhe shpeshtësinë e tyre. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se ndikimi i temperaturave ekstreme pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme, duke rritur rrezikun për jetën e qytetarëve dhe duke vënë nën presion sistemet shëndetësore.

Sipas OBSH-së, Rajoni Europian po ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër në botë. Edhe pse të dhënat përfundimtare për këtë verë nuk janë publikuar ende, informacionet paraprake nga pesë vende tregojnë se temperaturat e larta kanë shkaktuar rreth 10 mijë vdekje shtesë.

Përballë kësaj situate, Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën ka përgatitur një sërë udhëzuesish dhe mjetesh praktike për të ndihmuar vendet të forcojnë gatishmërinë e tyre. Mes masave të rekomanduara janë rritja e qëndrueshmërisë së spitaleve ndaj kushteve ekstreme të motit, përmirësimi i sistemeve të ftohjes, garantimi i furnizimit me energji dhe ujë, si edhe mbrojtja e pacientëve dhe personelit shëndetësor.

Organizata thekson se valët e të nxehtit mund të çojnë në një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa edhe stafi shëndetësor përballet me rrezik më të lartë nga lodhja dhe stresi i shkaktuar nga temperaturat ekstreme.

Në këtë kuadër, OBSH ka publikuar udhëzime të reja për hartimin dhe përditësimin e Planeve të Veprimit për Mbrojtjen e Shëndetit në kushtet e vapës. Këto plane synojnë të ndihmojnë autoritetet kombëtare dhe lokale të koordinojnë më mirë masat parandaluese, komunikimin me publikun dhe reagimin gjatë periudhave me temperatura të larta.
 
 
 

Të fundit