Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon rrëzimin e 23 kërkesave të Beqajt, ish-ministri: Janë shkelur procedurat

auto_ilir-beqaj41731566982.jpg

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shoqërua me debate të forta mes mbrojtjes dhe Prokurorisë së Posaçme. SPAK kërkoi që gjykata të rrëzojë të 23 kërkesat e paraqitura nga Beqaj, duke i cilësuar ato të pambështetura në ligj, ndërsa ish-ministri akuzoi organin e akuzës për shkelje të të drejtave procedurale dhe abuzim me kompetencat.

Prokurori i Posaçëm, Edvin Kondili, argumentoi se pretendimet e Beqajt janë trajtuar më herët gjatë hetimeve dhe në seancën paraprake. Sipas SPAK, kërkesa për pavlefshmërinë e njoftimit të akuzës nuk qëndron, pasi çdo veprim procedural është miratuar nga gjyqtari paraprak.

Prokuroria hodhi poshtë edhe pretendimin se mungesa e kontratës origjinale të prokurimit e bën të pavlefshme çështjen, duke sqaruar se ekziston një kopje e njësuar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila konsiderohet provë e vlefshme. Po ashtu, SPAK mbrojti ligjshmërinë e provave të siguruara nga kontrolli elektronik i pajisjeve kompjuterike.

Nga ana tjetër, Beqaj reagoi ashpër ndaj qëndrimit të prokurorisë, duke deklaruar se gjatë hetimeve i janë cenuar të drejtat dhe se kjo po e pengon të ushtrojë mbrojtjen në mënyrë efektive.

“Organi i akuzës pranoi se në fazën e hetimeve mi ka cenuar hapur të drejtat. Sot e kam të vështirë të mbrohem. Prokurorët kanë fituar pavarësinë me Reformën në Drejtësi, por po e përdorin atë për të shkelur të drejtat procedurale dhe për të bërë çfarë të duan”, u shpreh ish-ministri në sallën e gjyqit.

Beqaj vuri në dyshim edhe bazueshmërinë e kallëzimit penal ndaj tij, duke pretenduar se ai është ngritur mbi supozime dhe jo mbi fakte konkrete. Gjithashtu, ai kërkoi që gjykata të detyrojë SPAK-un të provojë se laboratori forenzik dhe pajisjet e përdorura për ekzaminimin e të dhënave elektronike janë të certifikuara sipas standardeve.

Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues vendosi të mos shprehet menjëherë mbi kërkesat e ish-ministrit. Seanca e radhës është caktuar më 11 shtator, kur pritet edhe vendimi i gjykatës për 23 kërkesat e paraqitura nga Beqaj.

Të fundit