Flash News

SPORT

Risi historike në Botëror, FIFA i dhuron kampionëve unaza si në NBA dhe NFL

Kupa e Botës 2026 do të sjellë një ndryshim të paprecedentë në historinë e turneve të FIFA-s. Për herë të parë, skuadra që do të shpallet kampione e botës nuk do të marrë vetëm trofeun prestigjioz dhe medaljet e arta, por edhe unaza speciale kampionësh.

Kjo traditë, e njohur prej vitesh në sportet amerikane si NBA, NFL dhe MLB, do të bëhet tashmë pjesë edhe e futbollit ndërkombëtar.

Unazat do t’i dorëzohen ekipit fitues pas finales së madhe të Botërorit 2026, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen më 19 korrik në stadiumin “New York New Jersey”.

FIFA ka vendosur të prodhojë gjithsej 2.026 unaza, në një referencë simbolike për vitin e këtij edicioni të Kupës së Botës. Prej tyre, 30 unaza do të shkojnë për lojtarët dhe stafin teknik të skuadrës kampione, ndërsa pjesa tjetër do të dalë në shitje si produkte zyrtare për tifozët.

Dizajni i unazave do të përfshijë trofeun e Kupës së Botës të gdhendur në njërën anë, ndërsa pjesa tjetër do të mbajë elementët identifikues të kombëtares fituese. Çdo unazë do të jetë e personalizuar, e numëruar individualisht dhe do të shoqërohet me certifikatë autenticiteti.

Pas përfundimit të finales, kapiteni dhe trajneri i ekipit kampion do të marrin versionet simbolike të unazave gjatë ceremonisë së festimit. Më pas, unazat zyrtare do të personalizohen dhe do t’u dorëzohen lojtarëve dhe stafit në një ceremoni të posaçme.

Të fundit