Flash News

E-TJERA

Gomonja me 11 emigrantë bllokohet në det pranë Vlorës, shpëtohen nga Policia Kufitare

gomone-c1200x600-1024x512-1.jpg

Një tjetër rast i emigracionit të paligjshëm është regjistruar në brigjet e Vlorës, ku një gomone me 11 shtetas të huaj mbeti në vështirësi në det.

Sipas Policisë Kufitare, rreth orëve të para të mëngjesit u mor njoftim për një mjet të vogël lundrues që ndodhej rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë. Menjëherë drejt zonës u nisën dy mjete lundruese të Policisë Kufitare, të cilat lokalizuan gomonen dhe shpëtuan të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Nga të dhënat paraprake, emigrantët janë 5 shtetas nga Bangladeshi, 3 nga Pakistani, 1 nga Afganistani, 1 nga Haiti dhe 1 nga Liberia.

Të gjithë janë transportuar në tokë dhe ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende destinacionin e gomones apo nëse emigrantët synonin të kalonin ilegalisht drejt Italisë. Kjo pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të tyre dhe vijimit të hetimeve.

Të fundit