Flash News

E-TJERA

Atentati në Sarandë/ 9 plumba ndaj "Sandrit", autorët dyshohet se u larguan me skaf

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj Thimjo Rubatit, i njohur edhe si "Sandri", i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes në Sarandë.

Sipas burimeve hetimore, dyshohet se autorët kanë lëvizur me një motor dhe kanë qenë të pajisur me skafandra për të fshehur identitetin e tyre. Ata kanë ndjekur itinerarin nga rruga "Mithat Hoxha" dhe zona e stadiumit, duke hyrë në drejtim të portit, ku kanë hapur zjarr ndaj 50-vjeçarit pranë biznesit të tij.

Mësohet se ndaj Rubatit janë qëlluar rreth 9 plumba me armë zjarri të tipit pistoletë 9 mm. Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi drejt zonës së plazheve, në drejtim të zonës së Baba Rexhepit.

Hetuesit dyshojnë se pas largimit nga vendi i ngjarjes, autorët mund të kenë përdorur një skaf për t'u larguar nga zona, ndërsa dyshohet se kanë marrë me vete edhe motorin që përdorën gjatë atentatit.

Pas plagosjes, Thimjo Rubati ka qenë i ndërgjegjshëm dhe është transportuar për ndihmë mjekësore, por sipas burimeve nuk ka mundur të japë identifikim për autorët. 50-vjeçari ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që qëlluan ndaj tij.

 

Të fundit