Flash News

E-TJERA

Në vend të freskisë, sauna falas! Urbanët në Tiranë pa kondicioner në kulmin e vapës

Pa kondicioner, me temperatura të larta dhe shpesh me dyer të hapura gjatë lëvizjes, ky është realiteti që përballen çdo ditë shumë qytetarë në linjat e transportit urban në Tiranë.

Një vëzhgim i Fiks Fare në disa prej linjave të autobusëve urbanë në kryeqytet evidentoi ankesat e vazhdueshme të pasagjerëve për mungesën e ajrit të kondicionuar dhe kushtet e vështira gjatë udhëtimit, veçanërisht në ditët me temperatura të larta.

Në linjën Selitë–Kristal–Qendër, qytetarët shihen duke përdorur freskuese dhe duke fshirë djersët për shkak të vapës. Pasagjerët thonë se ankohen çdo ditë për mungesën e kondicionimit, ndërsa një faturino pranon se situata është problematike.

Edhe në linjën Kamëz–Qendër, qytetarët shprehen se edhe pse kondicionerët pretendohet se janë të ndezur, numri i lartë i pasagjerëve dhe temperaturat e larta e bëjnë udhëtimin të vështirë.

Në një tjetër rast, në linjën e Unazës, shoferi reagoi i irrituar ndaj pyetjeve për kondicionerin, duke u shprehur se ankesat duhet t’u drejtohen institucioneve përgjegjëse.

Ndërkohë, në linjën Kashar–Qendër, një faturino deklaron se autobusët janë të amortizuar dhe se disa prej tyre duhen nxjerrë jashtë përdorimit. Pamjet tregojnë se një mënyrë për të përballuar vapën është mbajtja e dyerve hapur gjatë udhëtimit.

Situata të ngjashme u konstatuan edhe në linjat Kombinat–KinostudioInstitut–Qendër dhe Astir–Rruga e Durrësit–Qendër, ku qytetarët ankohen për mungesën e kushteve minimale të komfortit.

Në disa autobusë janë vendosur freskuese të vogla, por vetë drejtuesit pranojnë se ato nuk zëvendësojnë një sistem funksional kondicionimi. Sipas tyre, Bashkia e Tiranës duhet të ndërhyjë për përmirësimin e kushteve të transportit urban.

Ndërsa qytetarët vijojnë të përballen çdo ditë me vapën në autobusë, mbetet pyetja: A po marrin pasagjerët shërbimin për të cilin paguajnë?/TCH

 

Të fundit