Flash News

OPINEWS

Leku, kampion bote, po a e ka parë kush VAR-in?

Leku, kampion bote, po a e ka parë kush VAR-in?

Nga Lutfi Dervishi

 
Prej disa vitesh, një argument përsëritet vazhdimisht këtu: euro po dobësohet sepse ekonomia jonë po bëhet gjithnjë e më e fortë. Në pamje të parë, teza tingëllon bindëse. Sot, një euro këmbehet me rreth 93-94 lekë, teksa vetëm në 2024-n euro humbi 7.4% ndaj lekut, e në 2025-n edhe 2.8% të tjera, vit i katërt radhazi me rekord historik poshtë.

Por mjafton të hedhësh sytë jashtë Shqipërisë që kjo histori e ekonomise tonë të fortë të lëkundet .

Paradoksi global i euros

Nëse euro do të ishte vërtet një monedhë në rënie të lirë, ajo do të duhej të dobësohej edhe përballë partnerëve të tjerë të mëdhenj tregtarë. Në realitet ndodh pothuajse e kundërta. Përballë dollarit amerikan, euros i janë dashur më shumë dollarë gjatë pjesës më të madhe të periudhës 2024-2026. Ndaj jenit japonez dhe juanit kinez prirja është e njëjtë: euro forcohet, nuk dobësohet.  
Në anën tjetër të spektrit, euro është forcuar në nivele historike ndaj monedhave të vendeve që përballen me kriza të rënda gjeopolitike apo strukturore. Turqia është shembulli më flagrant: sot një euro blen rreth 53 lira, një vend me industri automobilistike, tekstile e ushtarake që eksporton dronë në gjysmën e botës, por lira e tij bie sepse inflacioni dhe humbja e besimit e kanë gjunjëzuar.

Po fqinjët?

Ndaj dinarit serb dhe denarit maqedonas, kursi ka mbetur pothuajse i pandryshuar për vite (këto vende, është e vërtetë, ndjekin politika kursi të fiksuar ose rreptësisht të menaxhuar). Ndaj kronës suedeze dhe norvegjeze, luhatjet kanë qenë brenda rrezeve normale të tregut. Askund tjetër në rajon nuk përsëritet kjo “mrekulli”.

Leku në raport me euron, është forcuar më shumë sesa monedhat e G7-ës dhe më shumë sesa monedhat e vendeve të Gjirit, që kanë pas vetes rezerva nafte e gazi.

Kush po e mban lekun në formë?

Vetë Banka e Shqipërisë ka pranuar se po ndërhyn dhe jo pak. Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të 2024-s, ndërhyrjet valutore arritën në rreth 2.6% të PBB-së, pothuajse trefishi i së njëjtës periudhë një vit më parë. Në 2024-2025, Banka bleu mbi 2 miliardë euro në tregun e brendshëm pikërisht për të ngadalësuar, jo për të nxitur, forcimin e lekut. Nëse leku ishte thjesht “shëndoshë”, pse dikush përpiqet ta mbajë me dietë?

Sipas autoritetit monetar, shpjegimi është “strukturor”: shpërthimi i turizmit, rritja e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme, suficitet buxhetore që ulin ofertën e lekut në treg. Vetë Guvernatori s’ka përjashtuar plotësisht as rolin e prurjeve valutore informale, një fjali e shqiptuar me kujdesin e dikujt që ecën mbi akull.

Pyetja që kërkon përgjigje

Keto krahasime nuk do të thotë automatikisht se leku është “artificialisht” i fortë. Mundet të jetë vërtet kombinim turizmi, IHD dhe fati i mirë. Por kur një monedhë e një vendi 2.4 milionësh sfidon njëkohësisht logjikën e dollarit, jenit, G7-ës dhe naftës së Gjirit dhe kur vetë banka qendrore harxhon miliarda euro çdo vit thjesht për ta frenuar, togfjalëshi “rastësi strukturore” fillon të tingëllojë si përgjigje shumë e rehatshme për një fenomen shumë të çuditshëm.

Deri sa dikush që është i zanati dhe punon për të mirën e vendit të na tregojë me shifra të sakta, burim për burim, nga vjen çdo euro që hyn në këtë treg të vogël, leku shqiptar do të mbetet i vetmi në botë që fiton pa punuar dhe forcohet pa asnjë shpjegim që të bind ata që kanë në kokë tru në vend të bykut.

Të fundit