Flash News

E-TJERA

Denisa Kele rrëfen takimin me Edi Ramën: Ishte një energji distante, nuk kishte atë ngrohtësi që prisja

Denisa Kele rrëfen takimin me Edi Ramën: Ishte një energji

Denisa Kele, ekspertja e njohur e IT ka folur për herë të parë me detaje për takimin me kryeministrin Edi Rama në podcastin 'Pasvon' të Alfred Lelës ku ishte e ftuar për të diskutuar mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.

Kele u ndal edhe te reagimet që kishte marrë pas një interviste të saj të disa viteve më parë me Ramën, ku disa komentues e kishin identifikuar si një personazh të afërt me Partinë Socialiste.

Kela tha se ajo bisedë ishte zhvilluar në një kohë kur fokusi i saj ishte te teknologjia dhe përdorimi i inteligjencës artificiale, ndërsa sot qëndrimet e saj kritike lidhen me mënyrën sesi është aplikuar kjo teknologji në fusha si prokurimet publike.

“Nuk kam mbajtur vulën e një partie dhe përveçse nuk kam mbajtur vulën, patjetër që opozitën e kam bërë. Mendimin tim e kam shprehur përherë hapur, për çdo gjë që ka pasur lidhje me teknologjinë dhe për çdo aferë që unë kam menduar se u është bërë padrejtësisht qytetarëve”, tha Kele.

Por ajo që e ka mbajtur mend më shumë nga ajo intervistë ishte sjellja e kryeministrit gjatë takimit.

“Prisja ndoshta diçka pak më të ngrohtë, apo pak më komode, sepse gjithsesi ti je në një intervistë para kryeministrit të vendit. Është pjesa që kryeministri të bëjë atë gjë që ti të rrjedhësh, që ti të ndihesh pak komode”, u shpreh ajo.

Sipas Keles, kjo energji nuk ishte ajo që kishte pritur.

“Rama kishte një lloj… nuk e kishte këtë qëllim, ose ndoshta ishte e parëndësishme për të ajo intervistë, por nuk kishte ajo energjia që unë realisht prisja. Ishte një energji distante”, tha ajo.

Ajo shtoi se edhe pas përfundimit të intervistës nuk pati një afrim apo komunikim tjetër.

“Intervista u mbyll, kryeministri thjesht u çua dhe iku. Ishte një përshëndetje shumë e ftohtë, mirëupafshim dhe ecim. Ishte e njëjta gjë, edhe fundi, edhe hapja, edhe mesi”, rrëfeu ekspertja.

Duke folur për mënyrën e komunikimit të Ramës në intervista me gra të tjera, Kele tha se nuk i preferon komentet që lidhen me pamjen fizike në një raport profesional.

“Mua zakonisht nuk më pëlqejnë komplimentet në bazë fizike apo femërore. Kur ftohem për gjëra profesionale, nuk i kam qejf këto lloj komplimentesh”, tha ajo.

 

Të fundit