Flash News

Ditari i Opozitës

Lela: Çështja Balluku, test për demokracinë shqiptare! BE po ngre shqetësimin për ndërhyrjet politike në drejtësi

Lela: Çështja Balluku, test për demokracinë shqiptare! BE

Drejtuesi i Zyrës së Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka komentuar raportin e fundit të Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri, duke u ndalur te shqetësimet e ngritura për ndërhyrjet politike dhe çështjet që lidhen me drejtësinë.

I ftuar në studion e News24, Lela deklaroi se çështja e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku përbën, sipas tij, një provë për funksionimin e institucioneve dhe demokracinë në vend.

“BE vijon t’i bjerë gozhdës së çështjes Balluku, të cilën e ka personifikuar si një test të demokracisë dhe integritetit. Është një test për mënyrën sesi funksionon demokracia dhe për raportin mes drejtësisë dhe ekzekutivit”, u shpreh ai.

Sipas Lelës, raporti i Komisionit Europian vlerëson hapat e bërë nga reforma në drejtësi, por njëkohësisht evidenton shqetësime për ndikimin politik dhe pengesat që mund të krijohen ndaj hetimeve për korrupsion në nivele të larta.

“BE lavdëron reformën në drejtësi, por nuk i bie gozhdës në kokë. Ai që pengon drejtësinë është Edi Rama”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së.

Raporti i KE-së përmend shqetësimet pas vendimit të Kuvendit për të mos hequr imunitetin e një deputeti pas kërkesës së SPAK, si dhe debatet për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale lidhur me pezullimin nga detyra të zyrtarëve gjatë proceseve gjyqësore. Sipas Brukselit, këto zhvillime mund të krijojnë perceptimin e mungesës së barazisë para ligjit dhe të pandëshkueshmërisë.

Lela për zgjedhjet në PD: Ripërtëritja ka ndodhur
Alfred Lela komentoi gjithashtu procesin e zgjedhjeve të fundit brenda Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato si një proces të hapur dhe transparent.

Ai hodhi poshtë kritikat për mungesë ndryshimi në strukturat drejtuese, duke deklaruar se PD ka kaluar një proces të thellë rinovimi.

“Ripërtëritja ka ndodhur katërcipërisht. Nga 15 sekretariate, 13 janë për herë të parë. Ka dominim të grave dhe të rinjve. Janë dy nënkryetarë të rinj, Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti”, tha Lela.

Sipas tij, zgjedhjet e brendshme të PD-së janë zhvilluar ndryshe nga proceset politike në vend, duke theksuar se kandidatët kanë pasur mundësi të konkurrojnë përballë njëri-tjetrit.

Lela foli edhe për rolin e Sali Berishës në drejtimin politik të partisë, duke deklaruar se ai mbetet figura që përcakton frymën politike të PD-së.

“Noka është menaxheri i partisë, por flamuri politik i PD është Sali Berisha. Frymën politike e përcjell Sali Berisha”, deklaroi ai.

Të fundit