Flash News

E-TJERA

Shqipëria me ujërat më problematike në Europë, vetëm 16.8% e plazheve marrin vlerësimin "ekselent"

Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të dobët të ujërave të plazheve në Europë, sipas raportit të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA) për cilësinë e ujërave të larjes.

Raporti, i cili analizoi më shumë se 22 mijë zona të larjes në Bashkimin Europian, përfshirë plazhet bregdetare dhe zonat rekreative me ujëra të brendshme, tregon se vetëm 16.8% e zonave të monitoruara në Shqipëri kanë marrë vlerësimin maksimal për cilësinë e ujit.

Ndërkohë, rreth 23% e ujërave të plazheve shqiptare janë klasifikuar me cilësi të ulët, për shkak të ndotjes së konsiderueshme nga bakteret fekale, duke ngritur shqetësime për sigurinë e pushuesve.

Në kontrast me Shqipërinë, vendet e tjera europiane kanë shënuar rezultate shumë më të larta. Qiproja kryeson renditjen, ku 100% e zonave të kontrolluara kanë marrë vlerësimin "ekselent", e ndjekur nga Greqia me 97.1% dhe Bullgaria me 96.9%.

Edhe vende si Austria, Danimarka, Gjermania, Italia, Malta, Spanja dhe Kroacia janë vlerësuar për cilësinë e lartë të ujërave të tyre.

Sipas ekspertëve, ndotja e ujërave mund të shkaktojë rreziqe për shëndetin e pushuesve, pasi bakteret si Escherichia coli (E. coli) dhe enterokokët intestinalë mund të futen në ujëra për shkak të problemeve me kanalizimet ose rrjedhjeve nga zonat bujqësore pas reshjeve të dendura.

Pavarësisht rezultatit të dobët në raport, Shqipëria ka njohur një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve vitet e fundit, e nxitur nga plazhet piktoreske dhe kostot më të ulëta të pushimeve krahasuar me destinacione të tjera europiane.

Megjithatë, raporti i EEA nënvizon se cilësia e ujërave mbetet një faktor i rëndësishëm për sigurinë e turistëve dhe për zhvillimin afatgjatë të destinacioneve bregdetare.

 

Të fundit