Flash News

E-TJERA

Gjermani/ Tre shqiptarë në pranga, policia zbulon pajisje për ngritjen e një plantacioni kanabisi

Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë gjermane gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin Ebersbach, pranë kufirit me Çekinë.

Aksioni u zhvillua në rrugën Spreedorfer Straße, ku forcat e rendit kontrolluan një ish-ndërtesë kompanie. Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi tre persona të moshës 30, 38 dhe 49 vjeç, të cilët dyshohen se ishin të përfshirë në përgatitjen e një aktiviteti të paligjshëm.

Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve në ambientet e objektit u gjetën sasi të konsiderueshme kimikatesh të dyshimta, si dhe pajisje që dyshohet se do të përdoreshin për ngritjen e një plantacioni kanabisi.

Zëdhënësi i policisë, Stefan Heiduck, deklaroi se hetimet e para kanë ngritur dyshimet se personat e arrestuar po përgatiteshin për kultivimin e lëndëve narkotike.

Operacioni nisi në orët e mesnatës dhe vijon ende. Në të janë përfshirë edhe shërbimet e zjarrfikësve dhe Agjencia Federale për Ndihmë Teknike (THW), ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë aktivitetin e dyshuar.

Të fundit