Ditari i Opozitës

Raporti i KE për Shqipërinë, Berisha: Damkosi Ramën, Balluku është bërë çështje e BE-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se raporti i Komisionit Evropian për shtetin ligjor, mediat e lira dhe drejtësinë përmban kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare.

Berisha e ka cilësuar atë si një “damkosje” të Ramës dhe regjimit të tij, duke theksuar se kryeministri po humbet mbështetjen dhe besueshmërinë në arenën ndërkombëtare.

“Së fundi, Edi Ramës, narkodiktatorit të Tiranës po i del boja në të katër anët e botës. Mediat, prej shumë e shumë kohësh dhe në veçanti këto muajt e fundit, kanë portretizuar Edi Ramën ashtu siç është, një narkodiktator, një njeri që nuk njeh ligje as Kushtetutë, një avokat të tmerrshëm të korrupsionit të tij dhe ministrave të tij”, deklaroi Berisha.

Sipas kreut të PD-së, raporti i Komisionit Evropian evidenton problematika që lidhen me shtetin ligjor, lirinë e medias dhe drejtësinë, ndërsa ai pretendoi se dokumenti përmend edhe mbrojtjen që kryeministri i ka bërë korrupsionit në qeveri.

“Një raport tjetër që vjen nga Komisioni Evropian për shtetin ligjor, mediat e lira, drejtësinë, damkos Edi Ramën dhe regjimin e tij në mënyrën më të fuqishme. Mbrojtjen që ai i bëri korrupsionit të Lubi Ballukut me emër, sulmet e paprincipta ndaj organeve të drejtësisë nga Edi Rama, korrupsionin e shfrenuar të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tashmë është kthyer në një çështje që tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

“Lubi Balluku është bërë tashmë çështje jo vetëm e shqiptarëve, por çështje e BE”, tha ai.

Të fundit