E-TJERA

I dëbuar dhe i rikthyer ilegalisht në Britani, shqiptari i dënuar për trafik d*oge fiton të drejtën e qëndrimit

Një shtetas shqiptar, i dënuar më parë për trafik droge dhe i dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar, është lejuar të qëndrojë në Britani pasi një gjykatë vendosi se deportimi i tij do të ishte "tepër i ashpër" për bashkëshorten e tij.

Sipas The Telegraph, bëhet fjalë për Dardan Hoxhajn, i cili në vitin 2018 u dënua me tre vite burg për përfshirje në një operacion të trafikut të drogës me vlerë rreth 750 mijë paund, si edhe për posedim të një dokumenti identiteti të falsifikuar.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se Hoxhaj mbërriti fillimisht në Britani në vitin 2017. Pas dënimit, ai u deportua në Shqipëri më 4 shtator 2018, por vetëm një muaj më vonë u rikthye sërish në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas The Telegraph, mbetet e paqartë se si ai arriti të hynte përsëri në vend.

Autoritetet britanike nuk e zbuluan praninë e tij për gati tre vite. Ai u identifikua vetëm pasi aplikoi për të qëndruar në Britani. Nuk bëhet e ditur rezultati i atij aplikimi, megjithëse besohet se ishte refuzuar.

Në shkurt të vitit 2023, Hoxhaj paraqiti një kërkesë të re për leje qëndrimi, këtë herë duke u mbështetur në të drejtat e njeriut. Kërkesa u refuzua nga Ministria e Brendshme britanike në vitin 2025, por ai e apeloi vendimin dhe në maj të këtij viti fitoi të drejtën për të qëndruar në vend.

Në vendimin e saj, gjyqtarja Fiona Lindsley vlerësoi se gjykata e emigracionit nuk kishte bërë asnjë "gabim material" kur pranoi argumentin se Hoxhaj kishte të drejtë të qëndronte në Britani për arsye humanitare.

Avokati i tij, i identifikuar në dokumente si S. Karim, argumentoi se deportimi i Hoxhajt do të ishte "jashtëzakonisht i ashpër" për bashkëshorten e tij shqiptare, emri i së cilës nuk bëhet publik.

Sipas mbrojtjes, gruaja vuan nga çrregullimi kompleks i stresit post-traumatik (PTSD), ankthi dhe depresioni, si pasojë e faktit se ka qenë viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore. Avokati argumentoi gjithashtu se rikthimi i saj në Shqipëri, si një nënë shtatzënë me një fëmijë të vogël, do të ishte tepër i vështirë për shkak të asaj që ai e përshkroi si një "kod i rreptë nderi" në vend.

Në vendim thuhet se nuk kishte arsye të besohej se bashkëshortja e Hoxhajt nuk do të përballej me vështirësi shumë serioze për t'u riintegruar në Shqipëri, duke qenë një ish-viktimë e trafikimit dhe abuzimit seksual.

Sipas provave të paraqitura në gjykatë, bashkëshortja e tij pëson sulme paniku kur përpiqet të kujdeset për djalin e tyre, i cili vuan nga astma, dhe nuk është në gjendje të përballojë e vetme trajtimin e tij.

Mbrojtja argumentoi gjithashtu se Hoxhaj kujdeset për gatimin, pastrimin e shtëpisë dhe i krijon bashkëshortes mundësinë të pushojë, për shkak të problemeve të saj të shëndetit mendor.

Të fundit