POLITIKOFF

Shkencëtarët zbulojnë atmosferë rreth një planeti të ngjashëm me Tokën

Një zbulim i ri nga astronomët mund të shënojë një hap të rëndësishëm në kërkimin për botë të ngjashme me Tokën jashtë Sistemit Diellor.

Për herë të parë, studiuesit kanë arritur të zbulojnë një atmosferë rreth një planeti shkëmbor që ndodhet brenda zonës së banueshme të një ylli të largët – rajoni ku kushtet mund të lejojnë ekzistencën e ujit të lëngshëm.

Planeti, i quajtur LHS 1140 b, ndodhet rreth 48 vite-dritë larg Tokës dhe rrotullohet rreth një ylli të kuq, më të vogël dhe më të ftohtë se Dielli. Zbulimi konsiderohet një nga provat më të rëndësishme deri tani se planetë me karakteristika të ngjashme me Tokën mund të ekzistojnë edhe përtej sistemit tonë planetar.

Shkencëtarët kanë identifikuar në atmosferën e tij praninë e heliumit, një gaz që nuk lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen e jetës. Megjithatë, studiuesit besojnë se mund të ekzistojnë edhe elementë të tjerë në atmosferë, të cilët do të kërkojnë analiza të mëtejshme.

Autori kryesor i studimit, Dr. Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, e cilësoi zbulimin si një arritje të madhe shkencore.

"Është hera e parë që zbulohet një atmosferë në një planet shkëmbor që ndodhet në zonën e banueshme të një ylli tjetër", u shpreh ai.

Deri tani astronomët kanë identifikuar më shumë se 6 mijë ekzoplanetë – botë që orbitojnë yje jashtë Sistemit Diellor. Megjithatë, LHS 1140 b tërheq vëmendje të veçantë për shkak të pozicionit të tij dhe mundësisë që në të ardhmen të zbulohet nëse ka kushte të përshtatshme për jetë.

Studiuesit, të cilët publikuan rezultatet në revistën prestigjioze Science, theksojnë se ky zbulim nuk përbën ende provë për ekzistencën e jetës në planet.

Sipas tyre, një nga kushtet kryesore për një botë të banueshme është prania e ujit në gjendje të lëngshme. Për këtë arsye, një planet duhet të jetë në distancën e duhur nga ylli i tij – jo aq afër sa temperaturat të jenë ekstreme dhe jo aq larg sa uji të ngrijë.

Të fundit