Flash News

Ditari i Opozitës

"Nuk është turizmi", Tabaku: Zhvlerësimi i euros vjen nga paratë e pista

Screenshot 2026-07-19 171324.png

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros, duke e cilësuar fenomenin si pasojë të pastrimit të parave dhe zgjerimit të ekonomisë informale.

Ajo akuzon qeverinë se po përpiqet të justifikojë një situatë që, sipas saj, po dëmton biznesin e ndershëm dhe po rëndon drejtpërdrejt jetën ekonomike të shumicës së shqiptarëve.

Reagimi i Tabakut: 

Zhvlerësimi i euros me pothuajse një të tretën e vlerës dhe fakti që sot euro ka kapur minimumin historik, që prej prezantimit të kësaj monedhe në ekonominë shqiptare, është një realitet që nuk mund ta mohojë më askush, as qeveria.

Sot, qeveria është vetëm në fazën kur po përpiqet ta justifikojë këtë fenomen.

Por çfarë ka ndodhur realisht me ekonominë shqiptare? Si shpjegohen këto shifra?

Vetëm në një prej aksioneve të SPAK-ut gjatë javëve të fundit janë sekuestruar 491 pasuri, të dyshuara se janë krijuar përmes pastrimit të parave nga krimi i organizuar.

Sektori i ndërtimit, sektori i turizmit dhe sektori i lojërave të fatit kanë vite që etiketohen si sektorë me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Tashmë këtë e kemi edhe të mbështetur nga dëshmitë dhe hetimet.

Dhe të mos harrojmë se i gjithë aktiviteti kriminal që po hetohet i referohet vetëm periudhës 2019–2021.

Bëhet fjalë për rreth 2 miliardë euro në vit që kanë hyrë në ekonomi, duke krijuar një peshë jashtëzakonisht të madhe të ekonomisë informale.

Nuk ka asnjë model ekonomik dhe asnjë justifikim që mund ta shpjegojë këtë zhvlerësim të euros.

As investimet e huaja, as të ardhurat nga emigrantët dhe as turizmi nuk e shpjegojnë atë.

Nuk ka absolutisht asnjë biznes të ndershëm që mund të konkurrojë me këto para të pista.

Si mundet një fason, që prodhon dhe i eksporton produktet jashtë vendit, të konkurrojë me pastrimin e parave, kur të ardhurat nga produktet e tij janë zhvlerësuar me pothuajse 30 për qind?

Si mundet një qytetar i shtresës së mesme, apo një i punësuar në administratë me pagë 800–900 euro në muaj, të konkurrojë në një treg ku apartamentet shiten me 350 mijë apo 400 mijë euro?

Ky është dëmi më i madh që po i bëhet ekonomisë shqiptare, përtej propagandës.

Kjo është këmbana e alarmit për ekonominë shqiptare sot, sepse mbi 90 për qind e popullsisë vuan pasojat e pastrimit të parave.

I vuan në tryezën e bukës, në xhep, në shpenzimet e përditshme, në biznes dhe në çmimet e rritura.

Ky është kriminalizimi i ekonomisë.

Të fundit