Flash News

Rajoni

Krim makabër në Itali, vritet me armë zjarri gazetari Luigi Esposito

luca-esposito-giornalista-1200x675.avif

Një krim i rëndë ka tronditur Italinë, pasi një gazetar dhe biolog 53-vjeçar u gjet i vrarë dhe i djegur në një zonë të izoluar të provincës së Salernos.

Trupi i Luigi Esposito, i njohur edhe si Luca Esposito, u zbulua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 19 korrik, në distriktin Cioffi të komunës Eboli, pas një alarmi për zjarr në shkurre. Fillimisht në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit për të shuar flakët, ndërsa pas tyre mbërritën karabinierët, të cilët zbuluan trupin pothuajse të karbonizuar të viktimës.

Hetimet u drejtuan menjëherë nga prokurori i Salernos, Alessandro Di Vico. Ekzaminimet e para mjeko-ligjore zbuluan se 53-vjeçari kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri, ndërsa pranë trupit u gjet edhe një gëzhojë. Sipas dyshimeve të para, autorët e kanë ekzekutuar fillimisht dhe më pas i kanë vënë flakën trupit, në përpjekje për të zhdukur provat.

Luigi Esposito ishte biolog me profesion dhe punonte pranë Agjencisë Rajonale të Kampanjës për Mbrojtjen e Mjedisit (ARPAC), ku merrej me kontrollet mjedisore, veçanërisht në fermat e buajve. Krahas aktivitetit profesional, ai kishte ndërtuar edhe një karrierë në gazetari.

Që prej vitit 2012 ai ushtronte profesionin e gazetarit të pavarur, drejtonte portalin sportiv "Tutto Salernitana" dhe bashkëpunonte me televizionin Otto Channel.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e vrasjes, ndërsa deri tani nuk përjashtohet asnjë pistë hetimore.

Të fundit