Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa kundër reformës territoriale: Mos zhdukni Delvinën dhe Konispolin nga harta administrative

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kundërshtuar planin e publikuar për reformën e re territoriale, i cili parashikon bashkimin e bashkive të Delvinës dhe Konispolit me Bashkinë e Sarandës.

Përmes një në Facebook, Zhupa e cilësoi këtë nismë si një politikë centralizuese që, sipas saj, dëmton përfaqësimin lokal dhe përshpejton shpopullimin e zonave në jug të vendit. Ajo theksoi se heqja e statusit të bashkive nuk përbën reformë administrative, por largon institucionet dhe shërbimet nga qytetarët.

Sipas deputetes demokrate, Delvina dhe Konispoli kanë një peshë të veçantë historike, kulturore dhe kombëtare, ndaj nuk duhet të humbasin statusin e tyre administrativ.

Reagimi:

Delvina dhe Konispoli nuk duhet të zhduken si bashki. Mazhoranca që u hoqi institucionet dhe zhvillimin ekonomik, nuk ka të drejtë t’u heqë edhe emrin nga harta e Shqipërisë.

Kjo nuk është reformë administrative. Kjo është politika e shpopullimit e kthyer në ligj.

Heqja e statusit të bashkive nuk është reformë. Është centralizim. Është largim i shërbimeve nga qytetarët, dobësim i përfaqësimit lokal dhe braktisje e zonave që kanë nevojë për më shumë investime, jo për më pak zë.

Pasi u mbyllën institucionet, pasi u larguan zyrat shtetërore, pasi u hoqën shërbimet, pasi mijëra të rinj u detyruan të emigrojnë për mungesë mundësish, tani qeveria ka gjetur “zgjidhjen”: të heqë edhe statusin e bashkive për Delvinën dhe Konispolin.

Delvina dhe Konispoli nuk janë thjesht bashki në hartë. Janë pjesë e identitetit, historisë dhe trashëgimisë të Shqipërisë.

Prandaj jemi kundër çdo plani për t’i shkrirë si bashki dhe për t’i bashkuar me Bashkinë e Sarandës.

Delvina është një nga qendrat më të vjetra historike të vendit, me një rol të rëndësishëm në historinë kombëtare, në arsimin, kulturën dhe jetën shpirtërore të Shqipërisë. Ajo ka qenë për shekuj një qendër administrative dhe ekonomike e krahinës, me tradita të spikatura patriotike dhe me një trashëgimi të pasur kulturore që nuk mund të reduktohet në një “nënnjësi” të një bashkie tjetër.

Konispoli është qyteti më jugor i Shqipërisë dhe një zonë me rëndësi të veçantë strategjike, kufitare, historike dhe kombëtare. Ai përfaqëson edhe traditat e Çamërisë, ruan një trashëgimi të jashtëzakonshme arkeologjike, kulturore dhe etnografike dhe ka nevoja specifike që kërkojnë vendimmarrje pranë qytetarëve, jo nga kilometra larg.

Ftoj çdo qytetarë të Delvinës dhe Konispolit ta kundërshtoj pavarësisht bindjeve palitike. I bëj thirrje deputetëve socialist të qarkut Vlorë të dalin kundër, mos votojnë dhe mos pranojnë këtë plan kundra qytetarëve.

 

Të fundit