Flash News

SPORT

Këshilli i Evropës kërkon reforma nga FIFA: Botërori 2026 ngriti pikëpyetje për integritetin e garës

Këshilli i Evropës i ka bërë thirrje FIFA-s të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar integritetin e futbollit, duke argumentuar se Botërori 2026 nxori në pah një sërë shqetësimesh që nuk duhet të përsëriten në të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, u shpreh se, edhe pse turneu përfundon në fushë, debatet mbi mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të tij do të vazhdojnë. Sipas tij, është koha që të nisë një dialog i gjerë me FIFA-n për të ndërtuar një kuadër më të fortë integriteti për Kupën e Botës 2030, përpara se të zhvillohet turneu.

Berset ngriti shqetësime edhe për ndikimin e politikës në futboll, duke theksuar se presioni mbi rregullat e lojës rrezikon të cenojë besueshmërinë e rezultateve. Ai paralajmëroi se, kur standardet ndryshojnë nën ndikime të jashtme, çdo rezultat mund të vihet në diskutim.

Një tjetër çështje e ngritur ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit të FIFA-s me industrinë e basteve. Sipas Berset, përfshirja për herë të parë e platformës së parashikimeve sportive si partner zyrtar shton rrezikun e manipulimeve, pasi bastet tashmë nuk kufizohen vetëm te rezultati final, por përfshijnë pothuajse çdo moment të lojës.

Sipas Këshillit të Evropës, zhvillimet e fundit tregojnë se nevojiten masa më të forta për të mbrojtur integritetin e futbollit dhe besimin e tifozëve në garat ndërkombëtare.

Të fundit